Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Europian kanë nisur takimin e tyre në Luksemburg gjatë së cilit do të trajtojnë veç të tjerash çështjen e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.
Në këtë takim pritet që Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë i BE-së, Josep Borrell të njoftoj ministrat e 27 vendeve anëtare mbi detajet e takimit të zhvilluar në Bruksel javën që shoi mes kryeministrit të Kosovës Albin Kurtit dhe presidentit serb Aleksandar Vuçic.
Borrell, së bashku me të dërguarin e posaçëm te bllokut për dialogun, Mirosllav Lajçak, ishin mikpritësit e kësaj përballjeje të parë mes dy liderëve e cila nuk prodhoi ndonjë rezultat konkret. Pikërisht për shkak të faktit që takimi nuk qe dhe aq produktiv, Borell sipas burimeve diplomatike, nuk ka dhe aq shumë gjëra për t`i thënë ministrave.
BE-ja konsideron se rëndësi ka edhe vetë fakti që u arrit ulja në një tryezë e Kurtit dhe Vuçiçit. Ndonëse ishte paralajmëruar muajin e kaluar se në këtë takim të ministrave të jashtëm do të ketë diskutime për rajonin e Ballkanit Perëndimor, një gjë e tillë nuk pritet të ndodhë sepse nuk ka pasur ndryshime që do të mund të krijonin hapësirë për ndonjë debat të suksesshëm.
Nesër, megjithatë do të diskutohet për procesin e zgjerimit në takimin e Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme të BE-së por tashmë janë shuar gjasat që në këtë takim të miratohen kornizat për negociatat e anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Kjo për shkak se Bullgaria nuk ka hequr dorë nga kundërshtimi në rastin e Maqedonisë së Veriut dhe si pasojë disa vende tjera nuk kanë dashur që të nisen negociatat vetëm me Shqipërinë.