E ftuar në emisionin “Java në RTSH”, mbrëmjen e sotme ishte deputetja e PS, Mimi Kodheli.
Duke diskutuar për negociatat, ku Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut nuk kanë arritur sërish të marrin një datë për mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare për shkak të vetos bullgare, kryetarja e komisionit të punëve të jashtme u shpreh se është e padrejtë që kjo gjë të pengojë të ardhmen e një vendi.
Në panelin me analistët Preç Zogaj dhe Lorenc Vangjeli, Kodheli tha se në këtë rast ndikon një politikë të brendshme.
Ajo tha se Maqedonia me Shqipërinë kanë pasur një rrugë të përbashkët dhe këtë gjë nuk e kemi vendosur ne por Europa.
“Ka pasur një angazhim maksimal nga Presidenca portugeze, shumë serioz. Situata mua më duket komplekse. Mendoj se ka një politikë për konsum të brendshëm dhe shpesh here pamundësia për të fituar zgjedhje, kthehet në një retorikë nacionaliste me shpresën për të fituar sa më shumë vota, kjo është një pjesë e vogël në përgjigje për Bullgarinë. Rrugëtimi ynë me Maqedoninë ka qenë i përbashkët. Maqedonia ka bërë shumë sakrifica për të arritur deri këtu.”- u shpreh Mimi Kodheli në emisionin “Java në RTSH”.