“Nën drejtimin e Lulzim Bashës Partia Demokratike ka kaluar nga humbja në humbje dhe nuk ka shpresë për të ardhur në pushtet me Bashën kryetar”. Kështu deklaroi sot në një intervistë televizive, ish-Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Arben Ristani, i cili e cilësoi kreun e PD-së, Lulzim Basha se nuk ka lidhje me demokracinë por është autokrat. Sipas tij, “Basha ngriti një gënjeshtër të madhe dhe gjithë aksionin politik në PD për të zgjedhur kandidaturat e saj përfaqësuese në parlament dhe u kthye prapë te autokracia në momentin e fundit”.

Ristani komentoi edhe formalizimin e “Grupit për PD-në”, ndërsa shtoi se “ne synojmë t’i japim PD-së një opcion dhe do të jemi për debat të hapur me demokratët”. Kjo, sipas tij, për t’i bindur demokratët se Basha nuk do ta bëjë PD-në parti fituese. “Mbase përton të punojë ose ka arsye të tjera pasi shohim se si ka kauza të shtirura që bien rrugës”, tha Ristani.

Ristani bëri një analizë të zgjedhjeve për kryetar në PD, ndërsa renditi gjithë parregullësitë e këtij procesi.“Në PD nuk ka fare rregullore të brendshme. Unë jam zgjedhur kryetar i komisionit të apelit që ka për detyrë të bëjë  inetrpretimet e statutit dhe të shqyrtojë të gjitha ankesat për shkeljet statutore dhe ky komision nuk është ngritur asnjëherë. Basha u ka mohuar një pjese të anëtarësisë të drejtën për të zgjedhur si dhe ka mohuar të drejtën e ankimimit, pra statuti i PD-së nuk funksionon”, tha Ristani.