Partia Socialiste i bëri vetes në këtë 30 vjetor të themelimit, dy dhurata: fitoi një mandat të tretë qeverisës, historik në periudhën pluraliste të Shqipërisë, por jo vetëm. E dyta rimblodhi ata që kanë qenë truri i saj, që edhe pse kritikë të ashpër në periudha të ndryshme kohore nuk e mohuan kurrë lidhjen me socialistët dhe Partinë Socialiste.
Surprizë ishte prania dhe mesazhet e Arta Dades, Rexhep Meidanit, por edhe Ditmir Bushatit. Meritë apo jo e Edi Ramës, ai arriti që në këtë përvjetor të rikthente frymën e solidaritetit që karakterizon një organizatë politike, ku individët grumbullohen në bazë të vullnetit të lirë. Pavarësisht gjendjes shëndetësore, lideri historik i PS-së Fatos Nano tregoi përmes një mesazhi se bëri atë që tha; “kalimin e stafetës nga etërit te bijtë”, duke lënë të kuptohet se do të qëndrojë ashtu si para zgjedhjeve të 25 prillit si këshilltar i mirë, ashtu si ati pas birit, pavarësisht sa i zoti bëhet ky i fundit. Por edhe duke dhënë mesazhe për ata që dikur quheshin “xhaketa të vjetra”. Ndoshta do mund të thuhet se për cfarë i duhet Partisë Socialiste kjo frymë bashkimi, ndërkohë që “futi në xhep” edhe mandatin e tretë. Është pikërisht ajo që shpalosi Edi Rama, përgatitja për një mandat tjetër në zgjedhjet vendore dhe mandatin e katër qeverisës. Pse jo? Partia Socialiste ka mënyrën më të mirë të organizimit të strukturave sot për sot, krahasuar me kundërshtarët e saj politikë. Është një sistem i tërë i ngritur qysh herët, që buron nga njohja në qelizë e njerëzve, elektoratit (për të cilët në fakt ka patur një data baze, para se të bëhej zallamahia e madhe me patronazhistët). Dikush duhet të pyesë p.sh. Petro Kocin një nga ish-sekretarët organizativë që ndryshoi shumë në mënyrën e komunikimit dhe ngritjen e organizatave bazë. Duhet pyetur edhe Musa Ulqini si arriti të njohë ” në majë të gishtave” cdo njeri, cdo socialist dhe jo vetëm, në Tiranë e më pas edhe në Elbasan. Kyci i suksesit të PS-së qëndron pikërisht aty, në bazë e saj.

SI E NJOH UNE GRAMOZ RUCIN

Askush nuk e priste që Gramoz Ruci të linte politikën aktive pikërisht tani. A ndoshta përmbushi atë që tha Fatos Nano për të kaluar “stafetën te bijtë”? Por tërheqja e tij, pikërisht në një moment kur PS ndihet e pakonkurueshme në skenën politike duket ishte e mirëmenduar. Ishte viti 1999, kur nga auditori shkova të filloj punë në gazetën “Shekulli”. Mu ngarkua të mbuloja Partinë Socialiste( ishte rastësi, pasi ai vend ishte i lirë). Duhet të tregoja se doja dhe do ta bëjë atë punë. Ndaj, pasi kisha marrë intervistën e parë me Ndre Legisin si sekretar organizativ në këtë parti, tentova t’i marr edhe atij, “të sertit”, Sekretarit të Përgjithshëm të PS-së, Gramoz Rucit. Pranë tij qëndronte një burrë babaxhan si Guro Zeneli (ose xhaxhi Guro sic ne i thërrisnim cdo ditë). I them se dua t’i marr intervistë zotit Ruci, por nuk mund t’i them se kam frikë se më përgjigjet ashpër. Jo,-më tha, e ke gabim! Gramozi është i dhembshur, nuk të përgjigjet keq. Guxo dhe do t’ja marrësh intervistën. E pavendosur trokita në derën e zyrës së tij. -Urdhëro, më thotë , hajde cfarë kishe? Ishte ai njeriu që unë, një çilimi kisha patur frikë t’i afrohesha kur e shihja të hynte në selinë e PS-së për muaj me radhë. Për cudinë time, ai pranoi të më jepte intervistë dhe mbaj mend se ajo ishte dita më e lumtur për mua. Sigurisht që fjala i kishte peshë dhe gazeta është hapur me atë intervistë, pavarësisht sa amatore ishin pyetjet e mia asokohe. Kështu bashkëpunimi ynë vijoi. I prerë në mesazhet që jepte, por edhe i mirëplanifikuar për të qenë i pranishëm në media, pa synuar profilin e lartë publik (të cilin dashje pa dashje e kishte fituar).
E sot, teksa e pashë të përlotur mu kujtuan fjalët e xhaxhi Guros: “Gramozi është i dhembshur”. Largimi i tij lë një vend bosh në kupolën e PS-së, që do të jetë e vështirë të marrë hijeshinë e tij politike.

P.s. Mund edhe te mos i shkruaja keto radhe, por forca e zakonit. U kujtova qe duhet te kisha mbushur nja 3-4 faqe gazete me lajmet e kongresit?