Parlamenti Europian i dha dritën jeshile vendimit për lëshimin e certifikatave digjitale të Covid 19 përmes së cilave blloku europian synon që të lehtësojë udhëtimet. Me “OK-in” e marrë tashmë nga PE-ja, lëshimi i këtyre dokumenteve do të nisë në 1 korrik. një zhvillim i tillë konsiderohet mjaft inkurajues nga kryetari i Komitetit për Liritë Qytetare në Parlamentin Europian, Juan Fernando Lopez Aguilar, i cili i bëri thirrje vendeve anëtare të BE-së që të frenohen nga vendosja e kufizimeve shtesë ndaj pandemisë, përveç rastit kur ato konsiderohen vërtet shumë të nevojshme.

Certifikatat pritet të jenë falas dhe do të lëshohen nga shërbimet shëndetësore të vendeve anëtare. Dokumenti do të përmbajë një kod; ai do të jetë i përfshirë në sistem digjital por do të vijë edhe në formën e letrës. Certifikata do të përmbajë të gjitha të dhënat e personit që e mban e do të tregojë nëse ai është i vaksinuar, është shëruar nga koronavirusi apo ka pasur një rezultat negative të testit.

Nga ana tjetër, ajo nuk do të jetë një parakusht për lëvizjen e lirë dhe nuk do të konsiderohet një dokument udhëtimi. përmes një deklarate, Parlamenti Europian theksoi se BE-ja do të kujdeset për të shmangur mundësinë që certifikatat të falsifikohen. Ato vlejnë për udhëtim vetëm brenda vendeve anëtare të bllokut.