Përkrahja masive nga 175 shtete, nga 129 të nevojshme për t’u përzgjedhur si anëtar i Këshillit të Sigurimit të OKB është mbase një arritje edhe më e rëndësishme se vetë vota positive. Ndodh rrallë që në mbarë globin të ketë një dakordësi pothuajse unanime për vendin që do t’i besohen disa prej vendimeve më të rëndësishme në rang global në periudhën 2022-23.

Vetëm një vit më parë, tre kandidatë të fuqishem, si Norvegjia, Irlanda dhe Kanadaja e patën të pamundur të grumbullonin as afërsisht mbështetjen e vendit tonë, pas një fushate të fuqishme dhe gazmore, ku vendet lobuan deri në fund madje duke dërguar me qindra waffle e ushqime të tjera tradicionale në banesat e diplomatëve të OKB.
Kanadaja, në kandidaturën e saj të shpallur vite më parë, të mbështetur me dokumenta strategjike, website, lobuar dhe financuar fuqishëm, në votimin në Asamblenë e Përgjithshme arriti të merrte vetëm 108 vota, kur i duheshin të paktën 128 për të fituar.

Dështimi i kandidaturës kanadeze u shndërrua në një prej temave të preferuara të opozitës kanadeze kundër Trudeau, ndërsa gazeta prestigjioze si “The Guardian” shkruajtën se dështimi ishte provë e paqartësisë së plotë të Kanadasë në politikën e saj të jashtme. Irlanda shpëtoi “për qime”, duke u zgjedhuar me fiks 128 vota të marra, nga 128 të nevojshme. Norvegjia, që pati idenë për të shpërndarë vazhdimisht waffle falas për diplomatët e vendeve të tjera arriti të merrte 130 vota, vetëm dy më shumë nga sa nevojiteshin.