Shqipëria shpreson për hapjen zyrtare, në fund të qershorit, të negociatave të pranimit të vendit në Bashkimin Evropian, të cilat janë bllokuar për disa vjet.

Kryeministri shqiptar Edi Rama në një intervistë për televizionim “France 24” është treguar i kujdesshëm në deklarata, edhe pse mendon se Shqipëria duhet të marrë dritën jeshile nga Brukseli.

Siç shkruan televizioni i njohur Rama ka deklaruar se Shqipëria është përfshirë në një “betejë” për të reformuar sistemin e saj gjyqësor përballë korrupsionit, sipas tij një shenjë e ardhjes së një “demokracie funksionale”.

Rama ka vënë theksin tek reforma në drejtësi, si një nga çështjet më të rëndësishme tani për rrugën europiane të Shqipërisë, ndërsa është shprehur se Shqipëria do të ishte tashmë pjesë e Bashkimit Evropian, nëse nuk do të kishte probleme në nivelet drejtuese. Rama komentoi dënimin e ish-kryeprokurorit Llalla, të cilin e quajti si një sinjal të mirë për shtetin e së drejtës.

“Nëse Shqipëria nuk do të kishte probleme, sot do të ishim në BE. Prandaj ne kemi hyrë në këtë betejë për të reformuar drejtësinë. Nëse ish-kryeprokurori, dhe ish-personalitete të gjyqësorit dhe politikës dënohen është një sinjal i mirë për shtetin e të drejtës, prandaj ne vazhdojmë këtë proces negociatash, për të ndërtuar një shtet të së drejtës, një demokraci funksionale”, mbylli Rama fjalën e tij.

Po ashtu Rama vlerësoi vendimin e BE për të hapur dyert për shqiptarët.

“Po, qytetarët tanë parashikojnë të udhëtojnë shumë. Për më tepër, siç ju e thatë mirë, një pjesë e madhe e popullsisë sonë jeton përtej kufijve të Shqipërisë dhe për ne ky ka qënë një lajm shumë i rëndësishëm, sepse kemi bërë një punë mjaft serioze për të luftuar pandeminë dhe me rezultate që janë vlerësuar nga të gjithë. Shqipëria ka qenë në krye të vendeve europiane si për përqindjën e vaksinimit dhe për shifrat e infektimit dhe të vdekjeve.

Kur flas për vaksinimin masiv dhe për ritmin e vaksinimit, kam parasysh statistikat e BE, sipas të cilave Shqipëria ka qënë prej muajsh në vendet e para; Shqipëria ka qenë deri dje në shifrat e 850 000 dhe në një vend më numrin aktual të banorëve kjo është shumë. Për sa i përket Europës, do të thoja se fillimisht ishte për të ardhur keq sepse të gjitha vendet e Ballkanit u lanë jashtë skemave të shpërndarjes, dhe në fakt, ne nuk ishim vetëm, por në një gjendje psikologjike mjaft të rënduar, sepse ne jetojme me Europën. Ne në Ballkan jemi në mes të Europës dhe jemi të kufizuar nga vendet e BE-së dhe duke parë në televizor se vendet e Europës kishin filluar të vaksinohëshin, jo, ishte me të vërtetë e rëndë”.

Përballë gazetares kreu i qeverisë ka folur për procesin e integrimit, përballjen me pandeminë, zgjedhjet, si dhe për luftën kundër korrupsionit. Mes të tjerash kryeministri u ndal dhe tek zgjedhjet e 25 prillit, ndërsa cilësoi se ato u njohën nga OSBE/ODHIR-i.

“Ne kemi një raport nga OSBE/ODIHR që janë shumë të qartë për integritetin e fushatës dhe zgjedhjeve. Jam shumë i kënaqur që mu bë pyetja, se kam lexuar artikuj të pavërtetë edhe në Francë. Nuk janë të dhëna personale individuale që kanë dalë, por janë dhënë tek organizata e partisë, që nuk kanë lidhje me të dhënat personale. Së pari, të dhënat dhe regjistri i gjendjes civile në Shqipëri ka qenë publik në internet përgjatë viteve. Së dyti, numri i kartave të Identitetit, nuk është personal. Është një numër që tregon që këtë kartë e ka ky person në shërbimin civil, por nuk është e dhënë sensitive.” tha Rama.