Autoritete shëndetësore në Kosovë kanë vendosur që dasmat të lejohen jo më shumëse deri në orën 23:00.

Kryetari i Odës së Hotelierisë dhe Turizmit të Kosovës, Hysen Sogojeva ka dhënë disa detaje të reja në lidhje me manualin e organizimit të dasmave.

Sogojeva në një intervistë për mediat ka thënë se kanë pasur takime të vazhdueshme me qeverinë, me ç’rast grupet punuese kanë bërë përafrimin e manualeve të propozuara nga Qeveria dhe ODA e Hotelierisë dhe Turizmit.

“Rreth 95% e kërkesave tona janë përfshirë në manualin e qeverisë”, ka thënë ai.

Sogojeva thotë se rreth 30% e kapaciteteve të brendshme hoteliere do të mund të shfrytëzohen për organizimin e dasmave.

“Mesatarisht rreth 200 dasmorë do të mund të futen në ambientet e brendshme të hotelit. Orari nuk do të ndryshojë. Dasmat do të mund të mbahen deri në ora 23:00, mirëpo me kalimin e kohës, besojmë në fillim të korrikut orari mund të shtyhet deri nga ora 1:00”, deklaroi Sogojeva.

Ai thotë se tashmë gjithçka është finalizuar, dhe vetëm pritet nënshkrimi i manualit.

“Në bazë të informative që kam, nesër do të mblidhet qeveria dhe do të votohet ky manual”, tha ndër të tjera Hysen Sogojeva.