Për herë të parë pas 66 viteve si anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Shqipëria u votua të premten si anëtare e përkohshme e Këshillit të Sigurimit të OKB.
Ky moment historik vjen jo vetëm si një arritje për diplomacinë shqiptare, marë në konsideratë përpjekjet historike të vendit tonë për t’u integruar në mekanizma ndërkombëtarë, por edhe si një mundësi për rolin që Shqipëria kërkon dhe mund të luajë në arenën ndërkombëtare, tashmë si pjesë e tavolinës ku merren vendimet më të rëndësishme të botës.
Ngjitja historike e Shqipërisë në nivelin më të lartë të përfaqësimit, angazhimit dhe vendimarrjes përkrah shteteve më të fuqishme të botës, është një moment krenarie për shansin që na jepet, për të demonstruar mes fuqive të botës dhe në sytë e gjithë botës, se si Shqipëria di dhe mund të jetë një aktor kontributiv e cilësor në tryezën ku adresohen sfidat e paqes dhe sigurisë globale.
Prandaj votimi i së premtes është një moment për t’u shfrytëzuar, por edhe për t’u krenuar, sepse më në fund, Shqipëria gëzon në arenën ndërkombëtare besimin si një shtet që është në gjendje të kontribuojë në bashkëpunimin ndërkombëtar për të zgjidhur probleme ndërkombëtare të natyrës ekonomike, sociale, kulturore dhe humanitare.
Në këtë kontekst, prestigji në arenën ndërkombëtare kthehet në një tjetër avantazh i të qenit anëtar i votëbesuar i organizmit më të lartë përgjegjës për menaxhimin e çështjeve globale ku Shqipëria ka mundësinë të ndikojë në tryezë, sfidat e kohës sonë.
Sot që Shqipëria ka një rol domethënës në këtë “makineri institucionale” të organizatës më të fuqishme të botës, ne kemi arsyet për t’u krenuar për atë se çfarë jemi në gjendje të bëjmë në këtë arenë ku do të vlerësohemi në fund për kontributin e shtetit tonë në debat, ekspertizën dhe aftësitë që do të mund të demonstrojmë në zgjidhjen e çështjeve të sigurisë.
Kontribut dhe aftësi të cilat Shqipëria i ka testuar me sukses më herët gjatë Presidencës së OSBE-së, organizatës më të madhe të sigurisë në botë, duke qënë tashmë gati për të sfiduar veten në tryezën e fuqive botërore ku do të ulet me një mandat dy vjeçar./ Lexo.al