Një studim i fundit gjerman ka treguar se bashkimi i dozave të vaksinave AstraZeneca dhe Pfizer shkakton një përgjigje imune më të fortë se dy doza të së njëjtës kompani. Studiuesit në Universitetin e Saarland në Gjermaninë perëndimore kanë treguar se njerëzit që kanë bërë si dozë të tyre të parë vaksinën AstraZeneca dhe si dozë të dytë BioNTech-Pfizer, me 10 herë më shumë antitrupa. Ekspertët kanë shpjeguar se rezultatet janë paraprake dhe duhet të vlerësohen edhe më shumë.
“Arsyeja pse ne donim t’i ndanim rezultatet tona tani është që edhe ekipe të tjerë studiuesish të ndërmarrin veprime për të realizuar këto prova,” ka thënë Martina Sester, pedagoge e imunologjisë infektive në Universitetin e Saarland. Në studim morën pjesë rreth 250 njerëz të cilët u ndanë në tre grupe. Disa prej tyre morën dy doza AstraZeneca, disa morën dy doza BioNTech-Pfizer dhe një grup i tretë mori një dozë AstraZeneca dhe tjetrën nga BioNTech dhe më pas ekspertët krahasuan përgjigjen imune të pjesëmarrësve.
“Ne nuk shikonim vetëm numrin e antitrupave kundër koronavirusit që ishin krijuar tek pjesëmarrësit, por edhe sa efektivë ishin antitrupat neutralizues. Kjo na tregon se sa të fortë janë antitrupat në parandalimin e virusit që të hyjnë në qelizat tona”, thanë ekspertët. Studiuesit shpjegojnë se kombinimi i vaksinave është një mënyrë efikase për të imunizuar njerëzit nga Covid-19 pikërisht për shkak të formulimit të tyre. Sester, tha se ajo ishte duke pritur të shihte më shumë hulumtime të bëra për kombinimin e llojeve të ndryshme të vaksinave dhe mënyrën se si ato ndërveprojnë me njëra-tjetrën.
“Ne besojmë se nëse ekipet e tjera kërkimore arrijnë në përfundime të ngjashme me tonat, kombinimi i vaksinave duhet të merret seriozisht në konsideratë”, përfundoi ajo.(