Për shkak të vetos bullgare kundër Shkupit, e pësoi edhe Tirana duke bërë që BE të shtyjë hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Por a po lobon Shqipëria që të ndahet nga vendimmarrja me Maqedoninë e Veriut?

Etjen Xhafaj, deputet i zgjedhur në 25 Prill nga radhët e PS-së, gjithashtu Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë i ftuar në “Log” u shpreh se Tirana zyrtare nuk po lobon për ndarjen nga Shkupi.

“Jemi në një proces politik, nuk jemi për plotësimin apo mos plotësimin e 15 kushteve. Duhet të ndajmë pjesën teknike. Sot është diskutuar që për Shqipërinë ka pasur konsensus të plotë. Është vendosur veto nga Bullgaria për Maqedoninë dhe duke qenë procesi paralel për dy vendet, është ndaluar. Nuk ka të bëjë me 15 kushtet. Të gjitha kushtet teknike janë të plotësuara për këtë është konsensusi i 26 vendeve.

Nuk jemi duke lobuar që të ndahen, por të hapen negociatat për të dy vendet. Ne nuk mund të ndryshojmë formatin çdo herë që një vend anëtar ka një problem specifik. Ashtu si nuk u nda para konferencës së Prespës, nuk mund të ndahet as tani” tha Etjen Xhafaj.

Por Mentor Nazarko duke analizuar veton bullgare për shkak të zgjedhjeve që do të mbahen në këtë vend, thotë se problemi mund të jetë më i madh vitin e ardhshëm, teksa presidenti francez Macron do të kërkojë një mandat të dytë, ndërsa zgjedhjet e fundit rajonale nuk ishin ashtu sikur i priste.

“U krijua shpresa se mund të kishte ndarje dhe do të hapej një dritare për Shqipërinë, pasi qëndrimi bullgar dihej. Nëse zgjedhjet bullgare paskan peshuar të gjithë fatin e BE-së, atëherë unë them se zgjedhjet presidenciale franceze vitin tjetër peshojnë më shumë për fatin e Shqipërisë dhe Maqedonisë. Precedenti bullgar është i rrezikshëm që mund të ndiqet” tha ai.