Integrimet europiane nuk duhet të jenë peng i çështjeve bilaterale dhe negociatat me BE-në nuk duhet të shndërrohen në negociata me Bullgarinë, deklaroi kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev. ”Përparimi ynë në integrimet europiane duhet të varet kryesisht nga reformat e brendshme në lidhje me kapitujt, legjislacionin e BE-së dhe arritjen e standardeve europiane”, shkroi Zaev në profilin e tij në Facebook.
”Liderët europianë duhet ta marrin seriozisht faktin se zhgënjimet e pafundme dhe të përsëritura në mënyrë të pashmangshme u hapin derën atyre dhe i inkurajojnë euroskeptikët. Kjo është arsyeja pse BE duhet të gjejë një formulë se si ta mbajë fjalën e saj dhe të vazhdojë me zgjerimin me Ballkanin Perëndimor”, shtoi ai.
”Ne kemi treguar, guxim dhe vullnet të sinqertë për zgjidhje të marrëdhënieve dypalëshe përmes respektit të ndërsjellë dhe mbrojtjes së dinjitetit kombëtar”, theksoi Zaev. ”Identiteti kombëtar maqedonas është thjesht i pamundur të jetë subjekt i negociatave. Askush dhe me asnjë akt nuk duhet të vërë në dyshim dinjitetin njerëzor, barazinë dhe solidaritetin, sundimin e së drejtës dhe të drejtat e njeriut”, shtoi ai.