Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla tha sot se “zgjedhjet e 25 Prillit në Shqipëri marrin vlerësim tejet pozitiv nga raporterët e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, e cila mbështet gjithashtu përmes deputetëve të vendeve anëtare të BE mbajtjen e menjëhershme të Konferencës së Parë Ndërqeveritare BE-Shqipëri”.
Balla thekson se, “raporti i PACE vlerëson se votimi ishte i qetë, i sigurtë dhe korniza ligjore siguron respektin e lirive themelore dhe është një bazë e përshtatshme për zgjedhjet demokratike. Reformimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, si një institucion i mirorganizuar dhe transparent. Zbatimi i teknologjive të reja si identifikimi dhe votimi elektronik forcoi besimin e procesit zgjedhor”.
“Ecuria e fushatës, votimit dhe numërimit treguan se këto janë zgjedhjet më të mira të mbajtura ndonjëherë pas periudhës së tranzicionit. Përfaqësimi gjinor u vlerësua në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe prioritare: 35 % e Kuvendit do të jenë gra”.
Balla shprehet se “raporti thekson se qeveria shqiptare përmbushi angazhimet e saj në mbajtjen e zgjedhjeve: Paqësore, të barabarta, të lira dhe të ndershme, në përputhje me standardet e përparuara”.