Agjencia për Zhvillimin Bujqësor e Rural po mbështet fermerët për të rritur kapacitet e tyre prodhuese. Drejtoresha e Agjencisë së Zhvillimit Rural, Frida Krifca vizitoi sot një fermer që ka përfituar mbështetje nga kjo agjenci për rritjen e sipërfaqes së prodhimit në serra.

“Ilia, ka nisur që në vitin 2003 të merret me serra ku kishte vetëm 3 dynymë. Duke e gjetur bujqësinë mundësi të mirë për përfitimin e të ardhurave, shtoi sipërfaqen. Synimi ishte të krijonte serra bashkëkohore me kushte optimale për bimën. Këtë e arriti nëpërmjet mbështetjes së AZHBR-së duke aplikuar dhe zbatuar investimin me programin IPARD II. Ka ndërtuar 4 dynym sipërfaqe në serra të cilat i shfrytëzon kryesisht për mbjelljen e perimeve, domate dhe speca”, tha Krifca.

Sipas saj, ai merr mesatarisht rreth 100 kv për dynymë, ndërsa prodhimin e çon i sigurt në pikat e grumbullimit të mbështetura po nga AZHBR-ja. Serrat e mëdha krijojnë një avantazh absolute dhe bashkë me pikat e grumbullimit bëjnë një binom shumë të rëndësishëm për zhvillimin e bujqësisë. Janë 29 milionë euro të injektuara për prodhimin në serra. AZHBR ka mbështetur 53 pika grumbullimi në të gjithë vendin për të fuqizuar kapacitetet ruajtëse dhe përpunuese të produkteve të tyre.