Kancelarja gjermane Angela Merkel në një konferencë për shtyp u bëri thirrje qytetarëve të vaksinohen kundër koronavirusit pasi kjo është mënyra e vetme për të luftuar pandeminë. Sipas saj, sa më shumë të rritet numri i të vaksinuarve aq më shumë liri do të ketë.

“Vaksina nuk ju mbron vetëm juve, por në të njëjtën kohë mbron edhe të afërmit dhe të dashurit tuaj. Sa më shumë të vaksinohemi aq më shumë mund të jetojmë të lirë”, u shpreh Merkel.

Nisur nga vendimet e fundit që janë marrë në Francë për vaksinimin e detyrueshëm të personelit shëndetësor, Merkel e pyetur nëse edhe në Gjermani vaksinat do të bëheshin të detyrueshme, ajo u shpreh se një gjë e tillë nuk do të ndodhë. Por, qytetarët do të inkurajohen në maksimum që të imunizohen kundër virusit.

“Nuk do të ketë vaksinim të detyrueshëm pasi kjo mund të ndikojë negativisht në besimin e qytetarëve për fushatën e vaksinimit”, u shpreh Merkel.

Ndër të tjera Merkel u shpreh se qevria do po bën të pamundurën që të shmangin një tjetër mbyllje në vjeshtë pasi kjo do të godiste rëndë ekonominë.

Deri më tani në Gjermani janë vaksinuar 43% e popullsisë me të dyja dozat e vaksinës. Por sipas Merkel, përsëri duhet zbatuar masat anti-COVID e distancimi social edhe nëse numri i të vaksinuarve do të rritet.