Dështimi në zgjedhjet e 25 prillit, ku LSI mori vetëm 4 mandate, u shoqërua edhe me “zhdukjen” e Monika Kryemadhit nga vëmendja e opinionit publik. Pas fjalimit të saj nga selia e LSI ku pranoi humbjen, Kryemadhi u largua drejt SHBA-së ku të vetmet foto që u servirën ishin ato të publikuara nga Bebe Rexha, kushërira e saj. Mirëpo pas një kohë kaq të gjatë, Kryemadhi u “bë e gjallë”, por kësaj here në një detyrë që e ka refuzuar që ta mbajë prej vitesh, atë të “Zonjës së Parë”.
Kryemadhi krejt papritur dje u shfaq krah bashkëshortit të saj, presidentit Ilir Meta në vizitën e tij në Budapest në ceremoninë e vendosjes së përmendores së Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Në pamjet e publikuara vetëm nga Meta, pasi kjo vizitë nuk u pasqyrua nga vetë ajo në rrjetet sociale, Kryemadhi shfaqet e ulur krah bashkëshortit të saj kryetar shteti, sipas një protokolli ku në raste të tilla ulet vetëm “Zonja e Parë”.
Me këtë veprim, Kryemadhi u “detyrohet” një sqarim mbështetësve të LSI-së, por jo vetëm, edhe opinionit publik, nëse tani e tutje do të duhet ta shohim atë si “Zonjën e Parë”, detyrë që më herët e ka mbajtur vajza e vogël e saj, Era, apo do vijojë që të jetë kryetare e një partie opozitare…pasi të dyja postet nuk qëndrojnë kurrsesi bashkë.