Nga gushti do të futen në qarkullim autobusët e gjelbër “Go Green”, të cilët do të përshkruajnë linjën e madhe unazore prej 13.2km me 66 stacione.
Lajmi u bë me dije nga kryeministri Edi Rama nëpërmjet një postimi në Facebook, i cili e konsideron vënien në përdorim të autobusëve të gjelbër “Go Green”si një gjeneratë e re e transportit publik.
“Mirmëngjes dhe me gjeneratën e re të transportit publik, autobusët hibridë elektrikë që do të hyjnë në shërbim për Tiranën e gjelbër e të pastër, ju uroj një të diel të bukur. Në Gusht nis linja e madhe unazore 13.2km me 66 stacione”, shkruan Rama.
Flota e re e autobusëve të gjelbër “Go Green” u prezantua një ditë më parë nga kreu i Bahskisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili u shpreh se kjo është pjesë e një procesi për modernizimin e transportit publik në Tiranë.
“Kemi flotën e parë elektrike, por janë 6 apo 7 kompani që 50% të mjeteve i kanë elektrike. Nëse vijojmë në këtë drejtim, besoj se do të kemi qytetin me 100% taksi elektrike. Në të gjithë itinerarin e 13.2 km kemi zero ndotje të prodhuar si nga këta autobusë, ashtu edhe nga taksitë elektrike të Tiranës, apo flota elektrike e Policisë Bashkiake”, tha Veliaj një ditë më parë.
Ky investim do të kompletohet gradualisht edhe me 22 mjete të tjera. Linja e gjelbër unazore në Tiranë, miqësore me mjedisin, synon një mbulim të gjerë dhe integrim me rrjetin ekzistues të transportit, duke iu dhënë mundësi qytetarëve që të udhëtojnë në distanca më të gjata me një linjë transporti.