Zyra e qeverisë së Kosovës ka konfirmuar për Euronews Albania se kryeministri Albin Kurti nuk do të marrë pjesë në Forumin Ekonomik të Shkupit ditën e enjte.
“Qëndrimet tona për idenë e Novi Sadit, të ashtuquajtur ‘Minishengen’, tashmë janë të njohura. Kjo iniciativë nuk e ka miratimin tonë”, iu përgjigj zyra e kryeministrit, interesimit të Euronews Albania
Kryeministrat Edi Rama, Zoran Zaev dhe presidenti Aleksandër Vuçiç mblidhen së bashku të enjten në Shkup, në Forumin Ekonomik për bashkëpunimin rajonal në kuadër të shengenit ballkanik.
Euronews Albania ka mësuar edhe axhendën e punimeve, e cila nis në orën 10:00 me fjalën hapëse të kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev për 30 minuta.
Më pas do të jetë kryeministri i Serbisë, Aleksandër Vuçiç që do të mbajë fjalën për 30 minuta të tjera e po aq edhe kryeministri shqiptar, Edi Rama.
Fjalën do e marrë edhe paneli ekonomik i përbërë nga Presidentët e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së 3 vendeve, ku Shqipëria do të përfaqësohet nga Ines Mucostepa, Presidente e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë.
Në fund të diskutimeve do të ketë nënshkrim të marrëveshjeve për bashkëpunimin rajonal mes dy kryeministrave dhe presidentit serb.
Aktiviteti pritet të zgjasë rreth 2 orë dhe në 12:30 do të ketë edhe një deklaratë të përbashkët mes kryeministrave Rama, Zaev dhe Vuçiç.
Gazeta britanike “Financial Times” shkruan se lëvizja e lirë dhe lehtësirat e biznesit e shengenit ballkanik do të zbulohen zyrtarisht të enjten. Ato përfshijë një lehtësim gradual të kufizimeve të udhëtimit, korsi të gjelbra më të shpejta në kufij, lehtësi kalimit për mallrat dhe për lejet e punës.