Kryetari i PD, Lulzim Basha pritet që në 10 ditëshin e parë të gushtit të thërrasë Këshillin Kombëtar të dalë nga Kuvendi i quajtur i jashtëzakonshëm, i zhvilluar ditën e shtunë në kryeqytet.

Pas daljes së rezultatit, për 300 anëtarët e rinj të Këshillit Kombëtar, përfshirë këtu edhe kryetarët e degëve apo përfaqësuesit e tjerë në këtë Këshill, Basha pritet të bëjë thirrjen e strukturës më të lartë midis dy Kuvendeve, për të bërë zgjedhjen e sekretariatit dhe kryesisë.

Burime zyrtare nga PD, i thanë CNA.al se Basha do të bëjë ndryshime thelbësore në drejtimin e kësaj partie. Këto janë reflektuar edhe me propozimet e bëra në ndryshimet statutore me sekretariatet apo edhe bordet që do të funksionojnë në këto sekretariate. Sipas të dhënave zyrtare, pranë Lulzim Bashës, kreu i PD pritet të bëjë disa largime nga drejtimi i kësaj partie.

Pritet të largohet nga posti i nënkryetarit Edmond Spaho, gjithashtu në dyshim është edhe pozicioni i Edi Palokës. Të dy këta personazhe, prej tetë vitesh kanë mbajtur postin e nënkryetarit të partisë dhe kanë këmbyer rolet, njëherë si kryetar grupi parlamentar dhe njëherë si nënkryetar i Kuvendit, ky post i dytë është automatikisht nënkryetar i PD.

Gjithashtu mësohet se do të plotësohen edhe vakancat për disa sekretariate dhe do të ketë lëvizje në shumë prej tyre. Pritet që Basha t’i japë një zgjidhje definitive edhe problemeve me organizatat partnere, por kjo pritet të ndodhë pas muajit Shtator kur do të ketë edhe një ecje përpara në lidhje me riorganizimin e Partisë Demokratike.

Nga emrat që mësohen se do të marrin poste, janë Alfred Rushaj i cili ishte edhe drejtori elektoral i fushatës së Lulzim Bashës. Njeriu i cili mbajti jo pak mbi supe, në një fushatë që u quajt e suksesshme përtej rezultatit dhe problematikave.

Një emër tjetër që pretendon të ketë post si sekretariati apo drejtimi janë Grida Duma dhe Ervin Salianji.

Ka edhe emra të tjerë që pretendojnë të kenë poste apo që nga vetë Basha t’u jepet një drejtim. Një nga këta emra mund të jetë edhe Tomorr Alizoti.

Gazmend Bardhi pritet të rikonfirmohet në detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm dhe pritet të plotësohet edhe vakanca e sekretarit organizativ, vend ky i lënë vakat nga Sait Dollapi pas humbjes së zgjedhjeve.

Gjithashtu shumë emra, disa të rinj apo edhe pjesë e elitës së PD pritet të marrin poste drejtuese për të zëvendësuar sekretariatin aktual. Ajo që është e sigurt është fakti se do të ketë një përmbysje thuajse totale, ku shumë nga emrat siç e përmendëm më lart, të ardhur në PD me fluksin Basha, “më të vjetër” në këtë parti, të marrin sekretariatin dhe drejtimin brenda muajit Gusht, për tu përgatitur me pas në Shtator për një organizim më të thellë në qelizat e PD.