Ajo që Rino Gattuso ka përjetuar deri më tani ka qenë një verë ndryshe nga ato me të cilat ishte mësuar. Një verë larg futbollit, por e shënuar nga një seri ngjarjesh të vështira edhe për t’u imagjinuar, që po e mbajnë atë larg stolit.
Në fakt, Gattuso do të kishte pasur mundësinë të stërviste Fiorentinën, një ekip me të cilin ishte i lidhur për më shumë se 20 ditë, para një “divorci” të bujshëm, që ende diskutohet. Ai do të kishte mundësinë të rifillonte nga Anglia dhe Tottenham, nëse faqet e tifozëve në internet nuk do ta kishte penguar marrëveshjen, që dukej në rrugë të mbarë.
Rino Gattuso, në një intervistë për “Il Mattino”, donte të driblonte argumentin e Fiorentinës: “Më mirë ta lëmë veçmas, shumë është thënë për të. Është e panevojshme të shtoj detaje të tjera. Histori e mbaruar. Tjetra është ende e hapur, nuk mund ta harroj”.
Mundësia e rifillimit nga Tottenham ishte konkrete, por tifozët e Spurs u rebeluan kundër mundësisë për ta parë atë në stolin e skuadrës londineze, duke përmbytur rrjetin me mesazhe, ku e portretizonin Gattuso si homofob dhe racist. Padyshim akuza absurde, por që e shtynë klubin të kërkonte dikë tjetër:
“Zhgënjimi ishte i madh. Ata më kanë përshkruar ndryshe nga sa jam. Dhe nuk kishte asgjë për të bërë. Keqardhja ime është që nuk pata mundësinë të mbrohesha. Për të shpjeguar se ai që u portretizua nga njerëzit në Angli nuk isha unë. Duhej të pranoja një histori që më lëndoi më shumë se çdo humbje apo shfajësim. Dhe kjo ndodhi në një kohë kur askush nuk dëshiron të pranojë rreziqet e internetit”.