Shteti Shqiptar dhe Britani e Bashkuar kanë firmosur sot marrëveshjen për transferimin e të burgosurve në vendin e tyre të origjinës. Kjo marrëveshje u nënshkrua nga Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, e cila ishte e pranishme sot në Londër, nëpërmjet së cilëst bëhet e mundur transferimi i shtetasve shqiptarë nga burgjet e Mbretërisë se Bashkuar në vendin tonë dhe e anasjella.

Në këtë mënyrë mundësohet mirëqenia e të burgosurve dhe riintegrimi në shoqëri në vendin e tyre të origjinës, ku ato mund të kontaktojnë familjet e tyre.

Megjithatë, në këtë marrëveshje haset problemi i ndryshimit të procedurës së transferimit në të dy vendet. Për palën britanike, transferimi përbën një proces administrativ që ndiqet nga National Offender Management Service, përderisa transferimi kryhet vetëm në bazë të urdhrit për transferim, me të cilin kërkohet vazhdimi i dënimit (pa njohje nga gjykata), ndërsa në Shqipëri është një proces administrativ gjyqësor për të cilin Kodi i Procedurës Penale Shqiptare parashikon dhe rregullon konvertimin e dënimit, me përjashtim të rastit kur ka marrëveshje.

Për këtë arsye, me autoritetet britanike janë zhvilluar nga viti 2014 e ne vijim disa tryeza të rrumbullakëta me gjyqtarë e prokurorë për të evidentuar problematikat e hasura prej tyre dhe nevojat për ndryshim të marrëveshjes aktuale për të evituar problematikat.