Kryetari i AAK, Ramush Haradinaj ka deklaruar se dyshimet e tij për qeverinë e Albin Kurtit tashmë janë vërtetuar. Haradinaj theksoi mbrëmjen e sotme se është vërtetuar që tashmë Albin Kurti është mashtrues. Ai tha se premtimet për dialogun, reciprocitetin e shumë çështje tjera kanë dalë të jenë mashtrim, për çka sipas tij e bëjnë Kurtin mashtrues. “Populli i Kosovës do ta ketë të vështirë të qeveriset nga një qeveri e tillë. Kjo qeveri nuk do të zgjasë shumë”, tha ai në Dukagjini.

Haradinaj u shpreh se me ardhjen në qeveri të Albin Kurtit Kosova ka pasur rritje të madhe të importeve nga Serbia që sipas tij dikur ai i kishte kundërshtuar. “Kurti ka premtuar se do ta rivendos reciprocitetin, por e vërteta është se u rritë importi i mallrave nga Serbia”.

Haradinaj shtoi se ekonomia e Serbisë asnjëherë më parë nuk ka pasur kryeministër më të mirë se Kurti në Kosovë. “Kurti po i bllokon bizneset dhe komunat tona. Paraja është bllokuar në Kosovë dhe komunat nuk po zhvillohen. Sipërmarrësit kosovarë do të kenë pasoja të mëdha në fund të këtij viti, derisa mallrat e Serbisë kanë vërshuar tregun tonë. Qeveria Kurti është qeveri armike ndaj ekonomisë së vendit të vet”, tha Haradinaj.