Nga Alfred Peza
Halli që ka sot Lulzim Basha, nuk i ngja asfare hallit real që kanë demokratët në veçanti dhe opozitarët tanë në përgjithësi. I vetmi hall që ka Lulzim Basha sot, është që çfarëdo të ndodhi me Sali Berishën nesër, ai ta mbajë me thonj vulën e PD. Vetëm duket patur vulën e partisë në xhep, ia del ti ruaj kuotat që zotëron prej 8 vjetësh, duke plotësuar çdo dëshirë personale. Ndërsa halli që kanë opozitarët, është i kundër me të, sepse nuk duan të rrijnë në opozitë por të rikthehen sa më parë në pushtet.
Lulzim Basha duket i kënaqur, që ka materializuar politikisht shprehjen e njohur, “më mirë i pari i fshatit se i dyti në qytet”. Ndaj i del e i tepron qenia i pari në opozitë. Sepse kështu Lulzim Basha është i vetmi opozitar me pushtet. Të jesh kryetar i opozitës është luks, për shkak se zotëron pushtetin që buron nga vullneti i gjysmës së popullit, pa patur asnjë përgjegjësi për fatet e qeverisjes së tij.
Ndërkohë që të gjithë demokratët dhe opozitarët e tjerë, përveç Lulzim Bashës, prej 30 muajsh nuk kanë asnjë lloj pushteti. Asnjë mandat. Asnjë post. Asnjë funksion. Asnjë bordero ku mund ta hedhin firmën në fund të muajit. Asnjë vulë për ta vendosur gjëkundi. Nuk kanë asnjë zyrë. Asnjë karrike në pushtetin lokal. Nuk kanë asnjë përfaqësim, e për rrjedhojë asnjë lloj ndikimi, në asnjërën prej vendimarrjeve të pushteteve qëndrore.
I vetmi nga e gjithë minoranca, që ka pushtet real sot në vend, është Lulzim Basha. Vetëm ai pret dhe përcjell sot ambasadorët e huaj në Tiranë. Vetëm ai pret dhe përcjell sot të dërguarit e rëndësishëm apo të parëndësishëm politikë të Brukselit, Washingtonit apo nga qendrat e tjera vendimarrëse të rajonit, kontinetit dhe globit. Vetëm ai shkon vetë e bën takime me ta. Vetëm ai ka kontakte zyrtare dhe është pikë referimi për ta në Shqipëri.
Këtë privilegj dhe mundësi, e kanë humbur pas zgjedhjeve të 25 prillit edhe Ilir Meta, edhe Monika Kryemadhi, edhe Sali Berisha. Në vend që ta mërzisë, kjo e lumturon më shumë se çdo gjë tjetër, Lulzim Bashën. Pas kësaj, koha punon vetëm për të, ndaj nuk ka pikën e ambicjes, për ti rikthyer opozitarët në pushtet. I vetmi shqetësim, i vetmi merak dhe e vetmja ambicie e tij, duket që të jetë mbajtja me çdo kusht e çmim e vulës së PD.
Pas shpalljes “non grata” nga Departamenti Amerikan i Shtetit, Sali Berisha është një rrezik gjithmonë e më i vogël, për Lulzim Bashën në krye të PD e opozitës shqiptare. Pas humbjes katastrofike në zgjedhjet e 25 prillit, duke marë vetëm 4 mandate deputetësh si kurrë më parë në historinë 17 vjeçare të LSI, Monika Kryemadhi nuk i bën dot më hije brenda “Opozitës së Bashkuar”. Duke u shkarkuar si President i Republikës nga Parlamenti, me “vizën” të hequr nga SHBA dhe pa mandatin e deputetit deri në 2025, Ilir Meta nuk e rivalizon dot më kurrë për lider të opozitës.
Kjo është arsyeja se përse Lulzim Bashës, sot i duhet më shumë vula e PD, sesa rikthimi i opozitës në pushtet. Sepse sa më shumë që të rezitojë, sa më shumë që të ruaj këto pozita, aq më shumë do mbetet i vetmi faktor udhëheqës në krye të minorancës. Duke u bërë pika e vetme e gravitetit opozitar, Lulzim Basha e ka shumë më të lehtë nesër, që ti forcojë akoma edhe më shumë pozitat e pushtetit të tij brenda PD dhe opozitës shqiptare.
Kjo është arsyeja se përse Lulzim Basha sot, ndryshe nga zërat e sirenave opozitare që këndojnë në veshët e tij, nuk kërkon falje as për vendimin e djegies së mandateve të deputetëve dhe as për bojkotin e zgjedhjeve lokale të 2019. I vetmi hall i Lulzim Bashës sot, është që të mbajë sa më fort, vulën e PD. Ndaj po mbledh edhe Kuvendin Kombëtar të radhës, duke kërkuar ndryshimin e statutit të partisë, që siç paralajmëron Arben Ristani do të sjellin “fundin total të demokracisë në PD”.
Duke shtuar numrin e anëtarëve të Kryesisë e të Sekretariatit, Lulzim Basha kërkon të zhvlerësojë, qenien pjesë e forumeve drejtuese të PD. Duke e shndërruar Këshillin Kombëtar, nga organin më të rëndësishëm vendimarrës në periudhën mes dy Kuvendeve në një strukturë “këshillimore të Kryetarit”, Lulzim Basha mer përfundimisht në dorë të gjitha fuqitë reale të partisë. Duke u bërë një lider absolut dhe duke e shndërruar ndërkohë PD, në një instrument për arritjen e qëllimeve të tij.
Kjo është arsyeja se përse Lulzim Bashës i duhet vetëm vula e PD dhe jo rikthimi në pushtet i demokratëve dhe opozitarëve.