Jasmina vendosi të dilte çift me Andin nga “Për’puthen”, por historia e tyre përfundoi shumë shpejt. Xhelozia dhe grindjet e shpeshta u bënë shkak që ata të ndanin rrugët me njëri-tjetrin. U përfol se këngëtarja Diona Fona, me të cilën Andi bashkëpunoi për një këngë, ishte arsyeja kryesore pse ata të dy u ndanë. Mirëpo e ftuar në “Soiree” së fundmi Diona ka treguar se mes saj dhe Andit nuk ka pasur kurrë asgjë më shumë përtej shoqërisë e punës.
“Ç’ka duket në televizion, nuk është e vërteta. Gjithmonë duhet të lesh hapësirë që të mendosh që është ndryshe historia. Nuk është që edhe i kam përcjellë. Ata si çift nëse kanë vendosur që të ndahen, kanë vendosur që të ndahen për arsyet e veta. Unë nuk kam lidhje. Unë kam pasur bashkëpunim profesional. E kam marr si model, si aktor në spot edhe kaq”, u shpreh Diona.
Megjithatë historia me Andin ka mbetur e shkuar e harruar për Jasminën. Gjatë një interviste virtuale me ndjekësit, ajo ka zbuluar se është në një lidhje të re. E pyetur më pas nëse i dashuri i saj është një person publik apo jo, ajo është përgjigjur: “Anonim”. Ish-konkurrentja e “Për’puthen” nuk ka dashur të zbulojë shumë detaje, por mesa duket partneri i saj nuk është i njohur në botën e televizionit.
Shumë kanë dyshuar se ajo mund të jetë në një marrëdhënie me Alesandron, një tjetër ish-konkurrent i “Për’puthen”, që i ka dedikuar këngë dhe me të cilin Jasmina është shfaqur shumë e afërt këto kohë. Por Jasmina ka treguar se mes tyre nuk ka asgjë, por vetëm miqësi dhe shumë respekt.
“Nuk ka asgjë përveç respektit dhe dashurisë sime për personin që është dhe më vjen keq që ju nuk njihni as 1% të atij djali se është flori!”, përgjigjet Jasmina.