Qeveria e Kosovës ka filluar të ofrojë bono të Thesarit për diasporën, me qëllim të orientimit të fondeve të diasporës në financime që mundësojnë zhvillimin ekonomik, sidomos pas rënies ekonomike si pasojë e pandemisë COVID-19.
Bonot e Thesarit janë letra me vlerë të garantuara nga shteti dhe të emetuara nga Thesari i Kosovës.
Banka Qendrore e Republikës së Kosovës ka nënshkruar marrëveshjen e bashkëpunimit me Ministrinë e Financave dhe bankat komerciale partnere për lëshimin e bonove të Thesarit për diasporën.
Shuma totale e paraparë për këto bono është 20 milionë euro, me mundësi rritjeje deri në 50 për qind, nëse do të ketë kërkesa.
Për ata që blejnë bono të Thesarit me kohëzgjatje trevjeçare, interesin që do ta marrin do të jetë 1.2 për qind, kurse për paratë e investuara për pesë vjet, interesi do të jetë 2.2 për qind.
Kuponi i parë i interesit do të paguhet në muajin shkurt, kurse i dyti në gusht dhe kështu do të vazhdojë pagesa çdo gjashtë muaj, deri në përfundimin e marrëveshjes. Krejt në fund, kur përfundon koha e maturimit, personi që i ka lëshuar kredi shtetit, i merr të gjitha paratë e investuara.
Yll Blakaj, kryetar i Rrjetit të Bizneseve të Diasporës Shqiptare në Austri, thotë për Radion Evropa e Lirë se emetimi i bonove të Thesarit do të jetë një mundësi më shumë që diaspora ta ndihmojë zhvillimin e Kosovës.
Megjithatë, ai thotë se autoritetet e Kosovës është dashur ta konsultojnë diasporën përpara kësaj nisme.
“Mendoj se para se të dalin në shitje, në këto bono të Thesarit është dashur të involvohen akterët nga diaspora, por edhe nga shoqatat e bizneseve dhe të bisedohet më shumë rreth këtyre bonove, në mënyrë që të informohen më shumë njerëzit, bizneset, rreth formave të investimeve dhe përftimeve që do t’i marrin”, thotë Blakaj.