Qeveria ka vendosur objektivin e qartë që Shqipëria të bëhet vendi i parë në rajon për eksportin e perimeve dhe i dyti në rajon për eksportin e frutave falë mbështejes që AZHBR ka dhënë për investimin në pikat e grumbullimit. Kështu është shprehur drejtoresha e AZHBR, Frida Krifca gjatë një inspektimi në një pikë grumbullimi, e cila theksoi se në të gjithë vendin janë hapur 137 të tilla.
“Ne kemi 137 pika grumbullimi në të gjithë Shqipërinë, prej tyre më shumë se 28 janë vetëm dhoma frigoriferike me kapacitete dhe volume grumbullimin frigoriferik prej 32 mijë metër kub, të cilat kanë mundësi të ruajnë dhe standardizojnë produktin për eksport. Pikërisht kjo mbështetje e këtyre lloj investimeve ka bërë të mundur që Shqipëria sot të jetë në krah të fermerëve për tu bërë eksportuesi i parë në rajon për eksportin e perimeve dhe i dyti në rajon për eksportin e frutave. Në bashkëveprim të plotë fermer dhe pika grumbullimi ne do të vijojmë punën tonë”, tha Krifca.
Inspektimin e drejtoreshës së AZHBR e shpërndau edhe kryeministri Edi Rama në rrjetet sociale, ku bëri me dije se tashmë 500 fermerë përfitojnë nga kjo mbështetje dhe kanë një vend ku të dërgojnë produktin e tyre.
“Tashmë mbi 500 fermerë, e kanë një vend të sigurt për të sjellë produktin, faktor kyç i vendit për eksportin e prodhimeve shqiptare drejt BE”, shkruan Rama.