Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, ka folur për situatën e koronavirusit në vendin tonë.
Manastirliu, gjatë fjalës së saj në Kuvend ka bërë me dije sigurimin e 23,400 dozave të tjera vaksinash nga kompania Pfizer, pjesë e marrëveshjes që qeveria shqiptare ka me instrumentin COVAX.
“Sjellim sot në Kuvend për miratim një tjetër marrëveshje për vaksinat Pfizer, pjesë e marrëveshjes kuadër që qeveria shqiptare ka me instrumentin Covax, nga i cili do të sigurojmë rreth 1,140,000 doza vaksinash. Nëpërmjet instrumentit COVAX tashmë është bërë e mundur mbërritja e 120 mijë dozave AstaraZeneca, me marrëveshjen sipas dritares së hapur nga ky instrument dhe marrëveshja e radhës nga ky instrument lidhet me kompaninë Pfizer, nga e cila do të sigurojmë në këtë fazë, 23,400 doza vaksine Pfizer Bion-Tech, të cilat pritet të vijnë së shpejti në Shqipëri. Kjo është një tjetër kontratë, përpos kontratës direkte që qeveria shqiptare ka miratuar me Pfizer për rreth 500 mijë doza vaksine, lëvrimi I të cilave ka filluar që në muajin shkurt”, deklaroi Manastirliu.
Gjatë fjalës së saj në Kuvend, Ministrja e Shëndetësisë foli për lehtësimin e masave anticovid, por ngriti alarmin nga varianti Delta, duke bërë thirrje për vigjilencë.