Partia Socialiste është shprehur e gatshme të ndërmarrë ndryshime në Kushtetutë për të hequr kufizimin që nuk lejon rizgjedhjen e prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme pas përfundimit të mandatit 9-vjeçar.
Gjatë diskutimeve për veprimtarinë e SPAK në Komisionin e Ligjeve, ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, mbështeti kërkesën e kreut të institucionit, Klodian Braho, për rishikimin e dispozitave që rregullojnë mandatin e prokurorëve të posaçëm. Sipas Manjës, përvoja e fituar gjatë nëntë viteve nuk duhet të humbasë për shkak të ndalimit të rikandidimit.
Ai deklaroi se është i gatshëm të iniciojë ndryshime kushtetuese, duke i bërë thirrje edhe opozitës të bashkojë votat për të hequr kufizimin aktual.
“SPAK është organ kushtetues dhe ka jetëgjatësi si institucion. Nuk është normale që, pasi prokurorët akumulojnë gjithë këtë eksperiencë, t’u thuhet të largohen pa pasur mundësi të rikandidojnë. Kush dëshiron të kandidojë për një mandat të dytë, duhet t’i nënshtrohet procesit të vlerësimit, si çdo prokuror tjetër. Përkohshmëria e prokurorëve cenon cilësinë e hetimeve. Bashkojmë votat, ndryshojmë Kushtetutën dhe heqim kufizimin për mandatin”, u shpreh Manja.
Propozimi hasi në kundërshtimin e deputetëve të Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi dhe Gent Strazimiri, të cilët u shprehën kundër zgjatjes ose mundësisë së një mandati të dytë për prokurorët e SPAK. Sipas tyre, ligji aktual është miratuar me konsensus të plotë dhe nuk ka arsye për t’u ndryshuar. Manja iu përgjigj duke kujtuar se dispozitat në fuqi janë votuar me 140 vota në Kuvend, duke kërkuar që i njëjti konsensus të përdoret edhe për ndryshimet e reja kushtetuese.










