Skandali i softuerit spiun Pegasus nxorri edhe një herë në pah sesa gjerësisht është përhapur pasiguria dixhitale. Por duket se ka një mënyrë të thjeshtë për ta mbrojtur telefonin celular nga hakerët, e ajo në fakt, është dhe mënyra më e vjetër dhe e thjeshtë e riparimit që bëhet me një kompjuter: fikja dhe rindezja e tij. Pikërisht ky veprim mund të pengojë hakerët që të vjedhin të dhënat nga telefonat inteligjentë, thonë ekspertë të agjensisë së Sigurisë Kombëtare në Shtetet e Bashkuara, NSA. Rindezja e shpeshtë e telefonave nuk do të ndalojë ushtrinë e kriminelëve kibernetikë ose firmat e paguara për spiunazh që kanë mbjellë kaos dhe dyshime në lidhje me sigurinë dhe privacinë dixhitale.
Por ajo e vështirëson vjedhjen e të dhënave. NSA, publikoi vitin e kaluar një udhëzues mbi “praktikat më të mira” për sigurinë e pajisjeve mobile, në të cilin rekomandon rindezjen çdo javë të pajisjeve mobile si një mënyrë për të frenuar hakerimin. Neal Ziring, drejtori teknik i Drejtorisë së Sigurisë Kibernetike në Agjencinë e Sigurisë Kombëtare, tha se telefoni i tij inteligjent është programuar që të fiket dhe rindizet automatikisht çdo natë. Ky veprim i thjeshtë, thotë ai, nuk ua lehtëson aspak punën hakerëve, të cilëve do t`u kushtonte shumë ta nisnin nga fillimi zinxhirin e përpjekjeve të veta.