Ministrja e Financave Anila Denaj nga foltorja e Kuvendit ka argumentuar ndryshimet në ligjin organik të buxhetit dhe ndryshimin e buxhetit të shtetit për herë të katërt. Ministrja tha se ndryshimet janë të diktuara kryesisht nga pandemia për të bërë të mundur blerjen e vaksinave për të vaksinuar të gjithë popullatën. Denaj tha se ndryshimet në ligjin “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë“ vijnë si nevojë për të garantuar hapësira fiskale për të bizneset e qytetarët.
“Qeveria Shqiptare është detyruar të bëjë një sërë ndryshimesh në parashikimet buxhetore dhe makroekonomike, duke krijuar hapësirën e nevojshme fiskale për mbështetjen ndaj qytetarëve dhe bizneseve në vitin 2021, por edhe për te vijuar me mbështetjen e vazhdueshme financiare duke siguruar objektivin primar vaksinimin total të popullsisë. Nevoja për ndryshime, ka si objektiv primar Ofrimin stimuj të nevojshëm fiskalë në krahun e shpenzimeve buxhetore për rimëkëmbjen e ekonomisë së vendit si pasojë e dy goditjeve të njëpasnjëshme. Vlerësimet aktuale të situatës makroekonomike dhe fiskale për vitin 2021 si dhe për periudhën 2022-2024, tregojnë se, një stimul i mëtejshëm fiskal nga ana e shpenzimeve buxhetore do të ishte garanci për nivele më të larta e të qëndrueshme të rritjes ekonomike në afatmesëm dhe afatgjatë. Kjo do të ofronte: Punësim e mirëqenie për qytetarët e vendit dhe më shumë burime financiare për shërbime publike”, tha ministrja Denaj.
Ndërkohë për ndryshimin e buxhetit ku janë rritur shpenzimet me 11.8 miliardë lekë, Denaj ka listuar disa nga arsyet e ndryshimit, dhe se ku do të shkojnë fondet.
“Nëpërmjet këtyre rialokimeve është synuar financimi kryesisht i projekteve prioritare dhe në proces me ecuri pozitive dhe ndërkohë vijimi i stimulit fiskal në ekonomi për të mbështetur objektivat e rritjes ekonomike. Shtesa në masën 2 miliardë lekë për Fondin Rezervë të buxhetit të shtetit, me qëllim financimin e: Fushata e vaksinimit anti-COVID19, në masën 1 miliardë lekë. Projektit prioritar të Ministrisë së Mbrojtjes për pajisjen me drone, për rritjen e kontrollit të territorit dhe sigurisë kombëtare në tërësi në vlerë 1 miliardë lekë. Shtesën në masën 200 milionë lekë për mbulimin e shpenzimeve për pjesmarrjen si anëtar i përkohshëm në Këshillin e Sigurimit në OKB. Shtesën në masën 500 milionë lekë për financimin shtesë të nevojave të qerave të strehimit të familjeve të dëmtuara nga tërmeti. Shtesën në masën 1 miliardë lekë për AKSHI-n, me qëllim financimin e nevojave për mirëmbajtjen e sistemeve IT”, tha ministrja.
Janë rreth 4.8 miliardë lekë që shkojnë për infrastrukturën, dhe Denaj tha se pjesa më e madhe është për Unazën e Madhe.
“Financimin shtesë prej 4.8 miliardë lekë për projektet në Infrastrukturë në programin “Transporti Rrugor” ku përfshihen hapja e loteve të reja për “Ndërtimin e segmentit rrugor Unaza Veriore Tiranë”, “Ndërtimi i segmentit rrugor Sheshi Shqiponja-Bulevardi i ri” dhe projektet aktuale Unazës së Tiranës, të cilat kanë avancuar me punimet fizike. Financimin shtesë prej 3 miliardë lekë për projektet në vazhdim, të Fondit Shqiptar të Zhvillimit. Financimin shtesë prej 2.5 miliardë lekë për projektet në vazhdim për sektorin e ujësjellës-kanalizimeve në shkallë vendi, për përmiresimin e furnizimit me uje të popullsisë. Shtesën në masën 900 milionë lekë si transfertë specifike për Bashkinë Tiranë, për ndërtimin e godinës së re të Teatrit Kombëtar. Financimin shtesë prej 2 miliardë lekë për projektet me financim te huaj në vazhdim “IPARD II”, dhe “Ndërtim By-Pass i Vlorës”, bazuar në ecurinë e mirë dhe pritshmëritë për realizimin e tij. Financimin shtesë në masën 200 milionë lekë për godinën e Polit të Drejtësisë, bazuar në këstet e përcaktuara në kontratën përkatëse”, sqaroi Denaj.