Nga Alfred Peza/ Ka një qasje tejet interesante të propagandës opozitare, në lidhje me operacionet e javëve të fundit të realizuara pas hetimeve nga SPAK, e cila bën sikur nuk po i sheh rezultatet e tyre. Jo vetëm “peshqit” e të gjitha madhësive bëjnë sikur nuk po i shohin, por madje kanë shkuar deri atje, sa nuk duan që të shohin as rrjetat në duart e drejtësisë së re.

Ndaj jo vetëm që nuk po i përshëndesin operacionet e arrestimeve të bujshme, por gati gati po i “injorojnë”, a thua se po vepruan kësisoj ato nuk kanë ndodhur fare. Nuk duan të shohin sesi po shkojnë një e nga një në qeli që nga prokurorë e gjyqtarë, tek kryetarë bashkie e drejtorë, komisarë e badigardë, biznesmenë e drejtues pushteti e deri tek grupe të strukturuara kriminale dhe kapot e tyre.

Deri dje thonin se strukturat e drejtësisë së re, janë jo eficiente e se nuk po arrijnë që të mbyllin qoftë edhe një hetim a dosje të bujshme, ndërsa tani kanë ndryshuar qasje. Thonë se ato që po arrestohen janë thjeshtë “bishta”, duke ndryshuar totalisht fushën e krahasimit, ndaj sot nuk janë as peshq të mëdhenj e as cironka. Janë po të njëjtët që bënin sikur nuk shihnin kur dënohej me vite burg nga gjykata, edhe ish Prokurorin e Përgjithshëm të Republikës, Adriatik Llalla.

Deri dje thonin se drejtësia e re është e kapur nga mazhoranca, e se deri atëherë kishin rënë në rrjetën e saj, vetëm ish zyrtarë të djathtë e pranë opozitës. Ndërsa sot nuk ua nxë goja, që të thonë se për herë të parë pas 30 vjetësh, institucionet e reja të drejtësisë nuk po shohin as majtas e as djathtas por vetëm çfarë kanë dosjet dhe çfarë thotë ligji për ta.

Atë që nuk duan që ta shohin opozitarët tanë, e sheh ambasadorja e SHBA Yuri Kim, e cila tha sot se investimet po rriten dhe korrupsioni po luftohet në Shqipëri. Ky është një binom i pandashëm, që sjell siguri për të ardhmen e kapitalit të huaj e atij vendas, hapje të vendeve të reja të punës, rritjen e të ardhurave e të mirëqenies së qytetarëve dhe një klimë sigurie gjithmonë e në rritje. Por këtë, propaganda e opozitarizmit thjeshtë sa për opozitarizëm, as që e sheh e as nuk do ta shohë.

Kanë një arsye shumë të fortë, për të mos parë atë që po e shohin edhe shqiptarët edhe bota, e cila lidhet me hallim më të madh që ka lidershipi i opozitës sonë. Në syrin e ciklonit të drejtësisë së re, është i gjithë lidershipi i vjetër i korruptuar dhe i krimalizuar, që e ka drejtuar këtë vend. Çështjet e mëdha ku ata janë implikuar, që nga Gërdeci e deri tek 21 janari, janë rihapur tashmë dhe pritet që të thërrasi një e nga një fajtorët e vërtetë.

Nuk duhet harruar se Sali Berisha është shpallur “non grata” nga Sekretari Amerikan i Shtetit Antony Blinken, sëbashku me familjen e tij, për “akte korrupsioni që minojnë demokracinë”. Ilir Meta është shkarkuar nga Parlamenti dhe pritet të përballet me të vërtetën, në Gjykatën Kushtetuese. Bashkëpunëtorët e tyre kanë filluar të dridhen, sepse duket se po u vjen radha, që një ditë drejtësia e re të trokasi edhe në derën e tyre.

Kjo është arsyeja e vërtetë, se përse nuk duan që ta shohin rrjetën e SPAK, që ka nisur të çojë në bankon e të akuzuarve peshq gjithnjë e më të mëdhenj. Duke paralajmëruar kësisoj, se është shumë e afërt dita, kur brenda saj të bien edhe peshkaqenët dhe balenat. Tani që disa prej tyre kanë filluar edhe pushimet verore, deti u rri pëballë e u kujton se çfarë janë, duke ua rritur akoma edhe më shumë temperaturat!

Meqë ata vetë po bëjnë sikur nuk po e shohin rrjetën që po u afrohet, kërkojnë që ti mbushin mendjen edhe të tjerëve, se drejtësia e re nuk ka punë me ta!