Nga Artur Ajazi/ Në rast se do të kishim një analizë të thellë politike, të lirë, demokratike dhe të ndershme të zgjedhjeve të 25 Prillit në Partinë Demokratike, natyrisht Lulzim Basha do të ishte larguar, dhe nuk do të arrinte të rizgjidhej më kryetar. Por ai nuk ka pranuar, dhe kurrë nuk do të pranojë ta bëjë. Ai edhe pas 2025, do të shpikë ndonjë fabul të re, si ajo e zgjedhjeve të 25 Prillit, ku thërriste dhe ripërsëriste me të madhe “u deformua vullneti i popullit, u vodh vota e lirë”.
Edhe pse ai kishte ngritur grupimet e armatosura të “mbrojtjes së votë”, nuk e pranoi dhe vazhdon të mos e pranojë se, ai i humbi zgjedhjet. Se do ti humbë sërish zgjedhjet. Se do të mbetet sërish në opozitë, dhe natyrisht kryetar partie. Për Lulzimin, të mbetesh kryetar partie, është “nder dhe privilegj”. Kështu ju drejtua disa mbështetësve të bazës ai 5-6 ditë pas rizgjedhjes me vota të palira.
Por përse i trembet Lulzimi një analize politike gjithëpërfshirëse për zgjedhjet dhe rezultatin e tyre, përse nuk e propozon vetë dhe përse nuk pranon kërkesën e kundërshtarëve brënda partisë, për reflektim, largim, ose dorëheqje ? Asnjë nga këto nuk ka gjasa të pranojë kryetari i Partisë Demokratike, as analizën e thelluar politike, as largimin, dhe as dorëheqjen. Nuk e bëri as para zgjedhjeve të reja në PD, duke treguar mungesë të theksuar tolerance, xhentilese, qytetarie, dhe më kryesorja, duke shkelur atë që ai e quan të “shenjtë”, Statutin e partisë.
Analiza e thelluar dhe gjithëpërfshirëse, do ti nxirrte “lakrat” në shesh gjithë propogandës boshe, gjithë skenarit amatoresk të Lulzimit dhe stafit tij, si shkaktarët e vërtetë të humbjes. Një analizë e thelluar politike, do të nxirrte jashtë loje emrin, figurën dhe synimin e tij për të mbretëruar në krye të asaj partie. Duke ngritur alibinë e tij se “Rama i vodhi dhe bleu votat me banda”, në fakt ai nuk e kupton se ishte dhe është duke bërë efektin e kundërt tek shumica e shqipëtarëve, që votuan masivisht Partinë Socialiste.
Shumica e shqipëtarëve nuk e honepsin më moralin e ndotur politik të servirur nga Basha dhe shpura e damkosur. Nuk mund të pranojnë më të “qerasen” me propogandë mashtruese, nga një kryetar partie apo dhe opozite, që humbet dhe thotë “kam fituar”, që largon dhe dhunon kundërshtarët dhe thotë “jeni të mirëpritur”, që akuzon kundërshtarin politik për “çensurim të strukturave partiake”, dhe u imponohet forumeve të veta me diktat dhe masa të tjera rradikale.
Një analizë e thelluar politike në Partinë Demokratike, do të nxirrte jo vetëm të palarat e gjithë 4 vjeçarit të kaluar, jo vetëm autorët e përbaltjes së PD dhe opozitës duke nisur nga çmenduria e “djegies së mandateve” dhe deri tek braktisja e zgjedhjeve lokale, por do ti vinte damkën “non-grata” Lulzimit në atë parti. Realisht, analizë politike kurrë nuk është bërë ndonjëherë në PD. Edhe kur Berisha ka humbur zgjedhjet, edhe kur rrahu brutalisht opozitën në 28 Maj 1996, edhe kur shkatërroi shtetin në 1997, edhe kur drejtuesit e asaj partie hipën mbi tank dhe kryen grusht shteti në 1998, apo dhe trazirat e 2001, kurrë nuk u bë një analizë politike për të nxjerrë përgjegjësit.
Ky fenomen është kthyer në traditë tashmë në PD. Lulzimi nuk mund ti besojë kurrë një procesi të lirë dhe demokratik, ku të analizohen në detaje shkaqet e humbjes, pasi do të ishte fatale për karrierën e tij politike. Ai po e mban “me thonj” postin, emrin dhe hijen e tij brënda Partisë Demokratike, ndërkohë që me miratimin e 11 propozimeve, do të çimentojë përjetësisht karrigen e kryetarit.