Nga Ylli Pata
Mungesa e kurajos, ndoshta e vizionit të Lulzim Bashës për të prodhuar një platformë të re politike në Kuvendin e PD-së, që ta kthejë opozitën në një strumbullar të shoqërisë shqiptare, sjell një rrezik të madh për sezonin e ri politik në Shqipëri. Pikërisht statusquoja e zgjedhur ngas Basha, nuk do të bëjë gjë tjetër, veçse të risjellë të njëjtën skemë që kemi parë gjithë këto vite që nga 2013 ku PD është në opozitë, e PS në pushtet. Një skenë politike tejet e polarizuar, herë herë konfliktuale, me rreziqe për të rrëzuar përveç stabilitetit edhe ato kolona që janë arritur në 30 vjet komunizëm.
Një debat politik tejet të varfër dhe një centralizim i betejës politike, që ngjan me gjuajtjen nga frëngjia në frëngji. Sipas të gjitha gjasave, mos dalja e PD-së me një platformë politike për stinën e re, ku si baza të saj është shpallja Non Grata e Sali Berishës nga SHBA dhe mundësia e opozitës për tu rikthyer në sistem, do të ketë pasojë të parë ripërsëritjen e të “entjeve të tmerrshme” në seancat e Kuvendit, ku natyrisht “ylli” do të jetë Sali Berisha, i cili siç e ka thënë vetë do ta dyfishojë aktivitetin e tij politik.
Thelbi i lojës politike të PD-së, do të jetë që të sulmojë sa më shumë e sa më egër, vetëm e vetëm që të largojë si çështje vendimin e Berishës e të prodhojë ndonjë problem të madh nga mazhoranca, që më pas ta kthejë në problemin numër një të vendit. E njëjta skemë që u ndoq në vitin 2017 me Saimir Tahirin, më pas me Fatmir Xhafën, e më pas me djegien e mandatave. Ku opinioni publik nuk diskutonte gjë tjetër veçse “babalet” që nxirrte kuzhina e strategjisë propagandistike të PD-së.
Kësaj here, PD nuk ka një Adriatik Llallë në krye të prokurorisë, por duket se me një imponim politik do të bëjë presion politik ndaj SPAK që të mos hapë dosjet e mëdha për emrat e mëdhenj të opozitës, të cilët priten me padurim nga publiku, natyrisht së bashku me njerëzit e tjerë të mazhorancës. Edi Rama, ka deklaruar se nuk do të merret shumë me opozitën, edhe nëse ajo do ta sulmojë egër e vazhdimisht, por do të shohë punët e qeverisë. Megjithatë, sipas gjasave, kjo “detantë” nuk do të vijojë gjatë, nëse panelet e darkës do të shkrumbëzojnë me papagallët e propagandës që nuk kanë qullosur gjithë këto vite asnjë parashikim në “analizat” e tyre, për të rritur tensionin e konfliktit.
E kjo strategji lufte, natyrisht që do të prodhojë edhe nga ana tjetër duelin, ku Edi Rama, ka provuar se është më rezultativ si në afat të shkurtër, e si në kohë të gjatë. Vendi rrezikon që të futet në zgjedhjet e pjesshme vendore, të cilat Ilir Meta, do t’i komplikojë sipas gjasave me një traumë të madhe, ku PD sipas të gjitha gjasave do të kërkojë ti kondicionojë zgjedhjet, apo rezultatin e tyre, jo nga gara e kualitetet që nxjerr, por përpara, në tavolinë siç ka bërë deri tani.
Po ashtu proceset e tjera në vend do të mbeten në statusquo, e në këtë rast vetëm SPAK me anë të dosjes së “Peshqve të Mëdhenj” mund të japë efekt tronditës. Ka teori nga mbështetësit e Bashës që nuk është PD, por Edi Rama që duhet të vihet në shënjestër nga opinioni se është për të tretën herë në qeveri. Edi Rama mund të kritikohet e sulmohet sa të duash, por kryeministri dhe shefi i mazhorancës i ka hedhur ftesën Lulzim bashës për një stinë të re politike pa “pandemi”. E ka bërë pjesën e vet. Është Lulzim Basha, i cili nuk ka kurajon apo vizionin ta projektojë apo mbushë “letrën e bardhë” që Rama i ka dhënë në dorë. E pse? Thjesht ngaqë është peng i fatit përfundimisht të shkruar e fatal, të paktën politik të Sali Berishës…