Kryeministri Edi Rama inspektoi sot ecurinë e punimeve në aksin rrugor Dukaj-Sinanaj, që lidh Tepelenën me Vlorën, ku nuk ishte vënë dorë që prej vitit 1920

Në këtë aks kanë përfunduar 75% të volumit të punimeve, dhe synon ta kthej këtë zonë në potencial turistik dhe bujqësor, në burim fitimi për banorët, komunitetet e për ekonominë kombëtare.

I shoqëruar nga ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku dhe drejtori i Autoritet Rrugor Shqiptar (ARRSH) Evis Berberi, kryeministri Rama u shpreh se “në shtator rruga do të jetë gati 100%, jo vetëm si një aks i rëndësishëm për fermerët e bujtinat e kësaj zone, por për ta kthyer Tepelenën në një pikë distribucioni të lëvizjes së turistëve”.

Ministrja Balluku tha se, “punimet për këtë vepër kanë nisur në dhjetor të 2020 dhe tashmë është realizuar 75% e investimit, ndërsa ka mbetur edhe pak që të mbyllim plotësisht punimet, brenda afatit kontraktual që është fundi i shtatorit”.

Ky është një investim rreth 3.7 milionë euro, 14,5 km i gjatë dhe është një aks i rëndësishëm rrugor turistik, që i vjen në ndihmë edhe sektorit bujqësor dhe atij agroturistik.

Investimi është kryer sipas të gjitha parametrave dhe standardeve. Rruga ndjek gjurmën e vjetër që është ndërtuar nga italianët që në vitin 1920, por është investuar në ndërtimin e saj, duke siguruar të gjithë elementët teknikë të sigurisë rrugore.

Rama tha se “ata që na ndjekin bien shpesh pre e idesë që rrugët turistike janë të ngushta duhet të jenë më të gjera. Por në fakt rrugët turistike, nuk duhet të jenë më të gjera. Rrugët turistike kanë parametrat e tyre, të njëjta në të gjithë Europën, që nga Zvicra në Francë, dhe kudo, pasi nuk kanë prezencë të trafikut intensiv dhe mundësojnë atë lëvizje që është e nevojshme në akset turistike”.

“Të gjitha këto investime që po kryhen e bëjnë Tepelenën nga një xhep falso që ishte, në një pikë distribucioni të lëvizjes për turistët, qoftë për ata që vijnë juglindja përmes Gjirokastrës, qoftë ata që vijnë nga perëndimi përmes Tiranës, apo edhe ata që vijnë nga jugu përmes Sarandës, dhe e gjitha bëhet një paketë e re fantastike turistike, që zbulon një pjesë Shqipërie”- theksoi Rama.

Kryeministri shprehu bindjen se “kjo zonë nga një zonë prodhuese e ushqimeve më të shijshme të Malësisë së Jugut që braktisej e braktisej ndër vite, sot është kthyer në një pikë furnizimi për të gjithë turizmin e bregdetit të poshtëm nga Vlora në Himarë dhe deri në Borsh”.