Kryeministri Edi Rama i tha gazetarit të medias britanike “UnHerd”, Aris Roussinos, se protestat e zhvilluara gjatë muajve të fundit në Shqipëri nuk janë më të njëjta me ato të qershorit.

Sipas tij, në protestat e fundit janë përfshirë më shumë parti politike dhe grupe të opozitës, përfshirë edhe forca të ekstremit të majtë dhe të djathtë.

Sipas tij, në protestat e fundit janë përfshirë më shumë parti politike dhe grupe të opozitës, përfshirë edhe forca të ekstremit të majtë dhe të djathtë.

Kryeministri Rama tha se, pavarësisht tensioneve, ai është “shumë krenar” që protestat kanë zhvilluar për ditë me radhë në mënyrë kryesisht paqësore.

Sipas kryeministrit, fakti që qytetarët mund të protestojnë në bulevard pa u penguar tregon se Shqipëria po sillet si një vend normal evropian, ku protestat janë pjesë e jetës demokratike.
Kryeministri Rama hodhi poshtë gjithashtu idenë se protestat përfaqësojnë të gjithë shoqërinë shqiptare.

Ai argumentoi se një pjesë e rëndësishme e protestuesve të fundit janë të lidhur me partitë opozitare dhe grupime politike që kërkojnë përmbysjen e qeverisë.

Rama u shpreh se rrjetet sociale kanë luajtur një rol të madh në mobilizimin e protestuesve.
Sipas tij, një përqindje e lartë e përmbajtjeve që kanë nxitur protestat është prodhuar jashtë Shqipërisë.

Ai e lidhi këtë veçanërisht me përfshirjen e Jared Kushner, Ivanka Trump dhe debatit rreth projekteve turistike në Shqipëri.

“Algoritmi bëri shumë për t’i sjellë njerëzit në bulevard”, tha Rama, duke argumentuar se lidhja e protestave me Kushner dhe familjen Trump ka bërë që ato të marrin më shumë vëmendje ndërkombëtare.

Sipas tij, kjo çështje ka tërhequr edhe persona që janë kundër Donald Trump dhe e kanë amplifikuar protestën në rrjetet sociale.

Në lidhje me projektet në Zvërnec dhe Sazan, Rama ka mbrojtur më herët qëndrimin se protestat nuk duhet të interpretohen si provë se projektet kanë nisur apo se janë cenuar tashmë zonat e mbrojtura.

Në artikullin e “UnHerd” Rama paraqitet si një kryeministër që e sheh situatën aktuale jo si një krizë të regjimit, por si shprehje të pakënaqësisë politike dhe sociale në një Shqipëri që, sipas tij, ka ndryshuar ndjeshëm ekonomikisht gjatë viteve të qeverisjes së tij.