Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot sesionin e 16-të të bashkëbisedimit me aplikantët e nismës “Gati për Shqipërinë”.
Rama tha se “ky cikël sesionesh online sipas fushave, na mundëson njohjen me të interesuarit dhe eksplorimin së bashku të mundësive e formave të bashkëpunimit me ta. Ndërkohë aplikimet vazhdojnë të priten në adresën [email protected]”
“Faleminderit për këtë mundësi që të shohim bashkarisht se si ju mund të përfshiheni dhe të na ndihmoni për të bërë punë të mira. Këtu është ministrja e Shëndetësisë, zv/ministrja e Brendshme, zv/ministrja e Drejtësisë, Drejtorja e Agjencisë për Zhvillimin e Territorit dhe zv/ministrja e Arsimit, Bora që koordinon këtë program”, tha Rama.
Kryeministri Rama e nisi sesionin me aplikanten Anjeza Llubani, e cila tha se “jam studente e arkitekturës në Universitetin teknologjik të Grazit, në Austri. Kam mbaruar studimet Bachelor dhe Master në Venecia, Itali, për Arkitekturë. Kam një eksperiencë pune 10 vjeçare në Akademi, jam e gatshme të kontribuoj duke sjellë vlerësimin e hapësirave publike urbane”.
Një tjetër aplikant, Aleksandër Kyçyku theksoi se “jam diplomuar në një universitet në SHBA, në fushën e Financës dhe Ekonomisë. Atje kam edhe eksperienca pune të ndryshme për kompani financiare dhe teknologjike. Kam dëshirë të jap kontributin tim në fushën e Ekonomisë, veçanërisht në politikat ekonomike që kanë të bëjnë me rritjen dhe zgjerimin e industrializimit të vendit”.
Alban Duro, i cili ka mbaruar Fakultetin e Infermierisë në Universitetin e Tiranës u shpreh se “kam një eksperiencë pune 13 vjeçare në Shqipëri dhe Berlin.Dëshira ime është të punoj në sistemin shëndetësor shqiptar”.
Hervis Ibrahimi tha se “sapo jam diplomuar në degën e Inxhinierisë Aeronautike në Turqi,. Jam i gatshëm dhe shpreh dëshirën të kontribuoj në sektorin e Aviacionit në Shqipëri”.
Një tjetër aplikant Alban Binaj theksoi se “jam diplomuar në Britaninë e Madhe në degën Biznes-Ndërkombëtar dhe Sipërmarrje. Dua të kontribuoj në fushën e sipërmarrjes, por edhe të biznesit ndërkombëtar”.
Majlinda Karaj, me profesion juriste tha se “studimet e nivelit Bachelor i kam përfunduar në Maqedoninë e Veriut , ndërsa studimet master në Tiranë. Prej 5 vite e gjysmë punoj si zyrtare ligjore dhe financiare për Federatën e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës. Shpreh gatishmërinë për të ardhur në Shqipëri dhe për tu bërë pjesë e kësaj nisme lidhur me të drejtat e njeriut”.
Ndërsa Tea Takaj u shpreh se “kam përfunduar ciklin e plotë ë studimeve Bachelor dhe Master në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Tiranës me rezultate ekselente. Më pas kam kryer një master në Holandë, prej 4 vitesh punoj në një studio ligjore në Tiranë. Do të doja që kontributin tim ta jepja në kudër të përafrimit të legjislacionit europian me atë shqiptar”.
Vilma Palluqi theksoi se “kam jetuar mbi 15 vjet në Itali, ku kam përfunduar studimet e larta në Fakultetin e Mjekësisë dhe Kirurgjisë së Përgjithshme. Jam e gatshme të jap kontributin tim dhe të ndaj idetë e mia bazuar në sistemin shëndetësor të shtetit fqinj”.
Aplikantja Viola Rrasari, e cila ka përfunduar studimet për Histori në Shkodër dhe Tiranë. “Jam e gatshme dhe dëshiroj të shpreh vullnetin tim në përfshirjen në fushën e arsimit dhe trashëgimisë kulturore dhe historike”.
Valin Qerimaj tha se “kam përfunduar studimet e larta në Universitetin e Vjenës në degën e Violinës.Do të doja shumë të jepja kontributin në zhvillimin e kurrikulës të shkollave të mesme të muzikës”.
“Kam kryer Bachelor dhe Master shkencor në Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit të Universitetit Politeknik të Torinos,. Prej 4-5 vitesh punoj në një fushë tjetër si menaxher projektesh në një kompani ndërkombëtare italiane. Dëshiroj të jap kontributin tim në Shqipëri”, – tha Renato Halili.
Era Sherifaj, ka përfunduar studimet e larta bachelor në Turqi për inxhinieri industriale dhe më pas ka kryer studimet master në Itali. Ajo është kthyer në Shqipëri dhe është angazhuar me partnerët “Shqipëri për ndryshim dhe zhvillim”.
Një tjetër aplikante ishte Danjela Jakaj, e cila vijon studimet master në fushën e drejtësisë dhe shpreh angazhimin e saj për të kontribuar për të drejtat e njeriut.
Edhe Griselda Haxhiaj, e cila po përfundon studimet për inxhinieri ndërtimi shpreh angazhimin e saj për të kontribuar në projektet për ndryshimin e Shqipërisë si aeroporti i Vlorës apo porti i Durrësit.
Griselda Golikja e cila ka studiuar për arkitekturë thotë se angazhimi i saj mund të jetë në përmirësimin e zhvillimit të qëndrueshëm urban, specifikisht në politikat në transportin urban.
Stela Lamaj ka përfunduar studimet në fushën e drejtësisë me rezultate maksimale dhe aktualisht është asistente pranë një zyre noterie në Tiranë. Ajo do të donte të jepte kontributin e saj në institucionet e reformimit të drejtësisë.
Romina Damini shpreh ambicien e saj për të kontribuar në Këshillin e Sigurisë në New York.
Ardiana Dushaj thotë se studimet e saj lidhen me energjinë dhe eficiencën e saj dhe se do të donte të jepte kontributin e saj në këtë drejtim.