Xherdan Shaqiri ishte një nga lojtarët më të mirë në fushën e lojës për Zvicrës. Mesfushori me origjinë shqiptare udhëhoqi helvetët duke qenë edhe kapiteni në këtë sfidë pasi Granit Xhaka ishte i pezulluar prej kartonëve.
Mediat e huaja e kanë vlerësuar me notën 7. “Gjithmonë shpërthyes me topin në këmbë, por edhe pa top. Mirëpo, nuk e ka hapësirën e duhur për të qenë më i rrezikshëm në zonën kundërshtare. Në momentin që ata ia japin mundësinë, arrin të ndëshkojë portierin Unai Simon”, shkruhet në vlerësimin nga “Eurosport”.
Shaqiri ka folur për mikrofonat e UEFAs pas ndeshjes duke thënë se është krenar për futbollistët e Zvicrës dhe se këtë herë fati nuk ishte me ta. “Jam shumë krenar për skuadrën. Kemi bërë një ndeshje të jashtëzakonshme ndaj një ekipi të fortë si Spanja.
Penalltitë janë 50 me 50. Isha shumë nervoz kur po shihja shokët e skuadrës që godisnin penalltitë. Mendoj se këtë herë na mungoi fati dhe nuk mund të bënim dot asgjë, por ky është futbolli.
Ne largohemi krenarë dhe me kokën lart nga ky kompeticion. Shpresoj që t’i kemi bërë të lumtur tifozët që na kanë mbështetur gjatë gjithë kohës”, ka thënë Xherdan Shaqiri.