Pas javësh të tëra të ‘nxehti afrikan’, në Shqipëri ka mbërritur ‘Liqeni i ftohtë’, fenomeni që ka kaluar nëpër të gjithë Europën dhe që shkaktoi edhe përmbytjet vdekjeprurëse në Gjermani dhe Belgjikë.

Masat e ftohta të ajrit ka mbërritur në rajonin tonë dhe kanë krijuar paqëndrueshmëri të fortë. I gjithë vendi sot është përfshirë nga reshje shiu të dendura në disa zona.

Në Lushnjë, Shkodër, Fier, Vlorë, Korçë dhe Tiranë deri më tani janë raportuar reshje, por që fatmirësisht nuk kanë krijuar probleme.

Reshjet pritet të mbeten në nivele normale dhe sinoptikanët parashikojnë se që nuk ekziston mundësia e krijimit të ndonjë situate si ato në Europën perëndimore.

Çfarë është “Liqeni i ftohtë”?!

Është një zonë e gjerë e presionit të ulët me temperatura të ulëta. Nëse qarkullimi i ajrit nuk ndryshon ndjeshëm, ai mund të mbetet i palëvizshëm në një zonë për disa ditë. Kjo rezulton në devijimin e temperaturës nga normale për nivelet e sezonit në shtresat e ulëta të atmosferës. Në shtresat e sipërme të atmosferës, temperatura mund të arrijë -20 gradë. Diferenca e temperaturës nga shtresat e sipërme në ato të poshtme, energjizon atmosferën dhe për këtë arsye kemi këto stuhi ekstreme dhe stuhi të forta breshëri që na shqetësojnë. (Shqiptarja.com)