A.P mbush 4 vite jetë në gusht. Ai është një fëmijë i shkathët dhe askush nuk e kupton se ka diçka që nuk shkon deri në momentin që ai reagon ashpër kur nuk i plotësohen kërkesat, të cilat mundohet t’i shpjegojë në mënyrën e tij.

“Logopedi më ka thënë se ka probleme në zhvillimin gjuhësor dhe ka nevojë për terapi që të fillojë të flasë fjalë të plota e më pas të krijojë togfjalësh deri në ‘aktin final’ që është një fjali e plotë, me kuptim”, tregon S.P, mamaja e 4-vjeçarit.

Ajo kujton se në fillim, kur djali ishte 8-9 muajsh, e kuptoi se ai nuk belbëzon apo thotë rrokje si moshatarët e tij por nuk u shqetësua sepse dhe djali i madh që sot është 6 vjeç e kishte këtë problem në këtë moshë, por që kur mbushi një vjeç filloi të flasë fjalë derisa arriti këtu ku është sot, ku komunikon si çdo 6-vjeçar.

“Nuk u shqetësova sepse të njëjtin problem e kishte dhe djali i madh në të njëjtën moshë dhe të gjithë më thonin atëherë se ka shumë fëmijë që flasin vonë, madje mamaja ime më thoshte se edhe unë apo vëllai im kemi folur vonë, apo se është njësoj si djali i madh. As nuk e vizitova tek ndonjë specialist me po këto ide. Pasi mbushi një vjeç dhe vazhdonte njësoj fillova të shqetësohem dhe mendova që të paktën ti bëj një vizite tek një specialist”, tregon S.P e cila thotë se pas vizitave tek logopedi zbuloi se djali kishte probleme me zhvillimin gjuhësor dhe kjo ka ndikuar shumë në përditshmërinë dhe jetën e të gjithë familjes.

4-vjeçari mundohet të gjejë mënyrat e veta për t’u shprehur, mënyra që shumë herë janë të ashpra dhe fëmijët e tjerë nuk arrijnë t’i kuptojnë.

“Në kopësht nuk rri asnjë fëmijë me të sepse nuk flet dot me to. Kjo e nervozon akoma më shumë. Është e pamundur t’i shpjegosh pse nuk rrinë me të. Kjo më vret”, thotë e trishtuar S.P.

Logopedja Silvana Gjoni tregon se vonesat në të folur dhe zhvillim gjuhësor janë shtuar goxha vitet e fundit.

“Në klinikë, më përpara paraqiteshin 5/6 raste në javë dhe tani mesatarja përllogaritet te 10 fëmijë. Pra, vihet re rritje e dukshme. Shkaqet mund të jenë të ndryshme, por do të listoja:

– prindërit janë ndërgjegjësuar më shumë lidhur me problematikat e të folurit dhe po i monitorojnë më shumë dhe më mirë gurët e zhvillimit.

– konsultat me logopedin janë gjithnjë në rritje, duke iu bashkëngjitur konsultës me pediatrin dhe për pasojë, problematikat evidentohen herët, duke pasur mundësinë edhe ti japim zgjidhje më shpejt.

– ekspozimi ndaj ekraneve, ka bërë që fëmijët të krijojnë një realitet të tyrin, duke refuzuar kontaktin me njerëzit përreth, qofshin ata edhe familjarë të afërt. Një arsye për ekspozim kaq të lartë, ku flasim për shifra 8-9 orë para TV/celular, është indikuar edhe nga periudha e karantinës, që patjetër ka sjellë edhe pasojat e veta negative.

Gjoni shton se karakteristikat e këtij problem janë po ato që kanë qenë më parë kur kishte më pak raste.

Ndërkohë, logopedi Fitim Kadrija thotë se “trendi në rritje nga një model teorik dhe nga evidenca e përditshme praktike që shohim është kudo në botë, jo vetëm në vendin tonë.

Ai shton se në fakt, resurset më të sigurta rreth këtyre problemeve i marrim nga jashtë, ku disiplina e Logopedisë ka një traditë më të hershme dhe ka statistika më të sakta e të shtrira në kohë.

Sigurisht që ka një rritje, siç raporton “ASHA” (American Speech-Language-Hearing Association) apo dhe resurse të tjera me karakter klinik, kjo është e lidhur me disa faktorë.

Përveç faktorëve të lartpërmendura nga logopede Gjoni, janë dhe faktorë të tjerë si:

– rritja e incidencës së problemeve shëndetësore që bashkëshoqërohen me probleme në të folur si Autizmi, ADHD, apo problemet që vijnë nga aksidentet me dëmtime neurologjike etj.

– ndryshimet sociale, koha e kaluar me fëmijët dhe ndërveprimi me ta.

“Në vendin tonë faktorët janë edhe më të theksuar, për shkak se ka nisur shumë vonë evidentimi e trajtimi i problemeve në të folur”, thotë Kadrija i cili shpjegon se mosekzistenca e një sistemi publik nëpër spitale e shkolla që parandalon, diagnostifikon e trajton herët këto probleme, ka bërë që në vitet e fundit të këtë numër të madh raportimesh të këtyre rasteve në subjekte private apo OJF që kanë filluar të ofrojnë këtë shërbim.

Pra, përveç rritjes së incidencës së rasteve me probleme të gjuhës dhe të folurit, “tek ne ekziston dhe një problem me rastet e prapambetura për shkak të pamundësisë që kanë patur për të marrë një shërbim në kohë”.

Kadrija thotë se situata e pandemisë dhe problemet sociale të kohës janë faktorë të tjerë që ndikojnë për keq, si në shtimin e rasteve por edhe në vonimin e adresimit e trajtimit të saktë të këtyre rasteve.

Ai shton duke thënë se duhet të kërkohet lobim i madh rreth kësaj çështje pothuajse të paadresuar në vendin tonë, që të rrisim ndërgjegjësimin e popullatës.

Sa ndikon zhvillimi gjuhësor në shëndetin mendor të fëmijëve?

Psikologja Lorela Garuli thotë se është shumë e rëndësishme që të trajtohen herët dhe të bëhet ajo që quhet ndërhyrje e hershme nga 3-5 vjeç në mënyrë që të rikuperohet problemi dhe vështirësia sa më shpejt.

Gjithashtu Garuli shton se është e rëndësishme që fëmijët që kanë vështirësi gjuhësore apo belbëzime të ndihmohen dhe të mirëkuptohen, absolutisht nuk duhet të kritikohen dhe mos tu vendoset në pah vështirësia, ti lihet koha e duhur të përfundojë fjalën pasi çdo gjë mund të kthehet në boomerang dhe fëmijët e perceptojnë se kanë një vështirësi dhe kjo mund tu kthehet dhe në probleme me vetëbesimin dhe një sërë problemesh të tjera që janë po aq të mëdha sa vështirësitë gjuhësore.

“Trajtimi i problemeve të gjuhës dhe të folurit nuk është luks, por nevojë. Mostrajtimi është me pasoja të mëdha dhe traumatike për vetë fëmijët por edhe familjarët”, përfundon Kadrija.

Këtë e shpjegon më së miri S.P kur thotë se “e gjithë familja ime është në luftë me problemin e djalit”.