Sezoni turistik është shoqëruar edhe me një lehtësim të masave, por edhe me një ulje të vigjilencës së qytetarëve ndaj rrezikut të COVID-, por ekspertët ngrenë alarmin për një rritje të ndërgjegjësimit. Kjo sepse, sipas zv.ministres së Shëndetësisë, Eugena Tomini në mesin e muajit gusht në masën 90% do të dominojnë qarkullimi i variantit Delta, në të gjithë botën, e për pasojë edhe në vendin tonë.

“Piku i qarkullimit, në të gjithë botën, përkon me mesin e gushtit dhe parashikohet që varianti Delta të dominojnë në 90%, duke qenë se jemi në alert të plotë na nevojitet dhe vijueshmëria e ndërgjegjësimit të popullatës”, tha Tomini.

Në intervistën me gazetaren e Report Tv, Doris Sallaku, Tomini tha se nuk është e nevojshme në këtë fazë të virusit që qytetarët të bëjnë një dozë të tretë të vaksinës. Ajo ka argumentuar se duhet që mbulesa vaksinale e qytetarëve me dy doza të vaksinës duhet të jetë sa më e madhe që të reflektohet edhe në imunizim e popullsisë.

“Rritje të mbulesës vaksinale se vetëm këtë mënyrë i japim mundësi virusit që të mos shumohet. Grupi i ekspertëve e ka vlerësuar dhe po e vlerëson , ne nuk kemi një rekomandim për një dozë të tretë”, tha Tomini.

Vaksinimi masiv po vijon nëpërmjet njësive të lëvizshme në komunitet, në pikat e përqëndruara te vaksinimit dhe në qendrat shëndetësore. Prej fillimit të këtij procesi janë kryer në total 1,168,308 doza të vaksinës ndaj COVID19. 512,625 qytetarë i kanë marrë të dyja dozat e vaksinës anti-COVID. Ndërkohë deri tani në vendin tonë kanë mbërritur 1,699,410 vaksina antiCOVID.