Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali garantoi sot se “qeveria shqiptare do të vijojë angazhimin maksimal në drejtim të reformimit të administratës publike, për një administratë publike me standarde, për të ofruar shërbime me cilësi të lartë për qytetarët dhe bizneset, në mënyrë transparente dhe efikase me anë të punonjësve civilë të paanshëm dhe profesionistë”. Gjatë fjalës së saj në Kuvend, Spiropali tha se “sfida jonë e mandatit të tretë është komplekse dhe e shtrirë në çdo aspekt të jetës së vendit”. Por, tha ajo, “në zemrën e kësaj sfide qëndron domosdoshmëria për një administratë plotësisht profesionale në shërbim të qytetarit, në respekt të detyrës dhe të ligjeve të vendit, një administratë që do të jetë themeli i Shqipërisë europiane anëtare e BE, në kuptimin më të plotë të kësaj fjale”. “Ne do konsolidojmë një administratë të talenteve dhe aftësive të gjithë atyre që qoftë për shkak të eksperiencës së gjatë në administratë, apo falë shkollave që kanë kryer, të dëshmojë besim përmes profesionalizmit dhe vlerat e shkruara mbi të cilat është e ndërtuar, si dhe të krijojë hapësirat ku gjithsecili që kërkon një shërbim prej saj ta ndjejë veten të mbrojtur nga padrejtësia”, tha ministrja.

Duke u ndalur te Reforma në Administratën Publike, Spiropali tha se ajo “ka qenë dhe vijon të mbetet prioritet i qeverisë shqiptare si një ndër reformat më të rëndësishme në kuadër të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, por mbi të gjitha si gur themeli për zhvillimin e vendit”. “Viti 2020 ishte një vit i pazakontë, një vit sfidues dhe tejet i vështirë për të gjithë botën e natyrisht për Shqipërinë. Megjithatë, vendi ynë tregoi që falë masave dhe iniciativave të ndërmarra në drejtim të reformimit të administratës publike, duke nisur nga reformimi i shërbimit civil që nga themelet e tij, e deri te dixhitalizimi dhe informatizimi i proceseve e shërbimeve që i ofrohen qytetarit, Shqipëria arriti të kapërcejë me sukses të plotë të gjitha sfidat e situatës pandemike. Administrata shqiptare arriti të ishte pranë qytetarëve në këto kushte të vështira duke garantuar shëndetin e tyre, çka ishte dhe prioriteti kryesor gjatë vitit që lamë pas, por edhe duke siguruar në kohë, me cilësi dhe profesionalitet, të gjitha shërbimet e tjera”, tha ajo.

Spiropali vlerësoi se “administrata publike përbën themelet mbi të cilat zbatohet çdo nismë, çdo reformë dhe çdo iniciativë në drejtim të zhvillimit ekonomik dhe social të vendit”. “Cilësia, profesionalizmi, paanësia dhe integriteti i administratës publike janë karakteristikat e domosdoshme të një administrate të suksesshme që është në shërbim të plotë të qytetarit në mënyrë jo-preferenciale, konstante dhe transparente. Reforma e Administratës Publike ka një kornizë strategjike të mirëpërcaktuar tashmë prej 6 vitesh nga Strategjia Ndërsektoriale e Reformës në Administratën Publike, dokument ky që përbën bazën mbi të cilën zbatohet kjo reformë thelbësore. Qëllimi i kësaj strategjie dhe reforme është forcimi i kapaciteteve të administratës publike, duke rritur cilësinë e ofrimit të shërbimeve ndaj qytetarit dhe përgjegjshmërinë e çdo nëpunësi”, tha ajo.

Në një perspektivë afatgjatë, Spiropali vlerësoi se “rritja e qëndrueshmërisë së administratës publike, bëhet nëpërmjet zbatimit me rigorozitet të procedurave të përcaktuara në kuadrin ligjor në fuqi, forcimit të kapaciteteve nëpërmjet trajnimit të thelluar dhe të vazhdueshëm të nëpunësve të administratës publike qendrore dhe vendore, sidomos në fushën e përmirësimit të aftësive drejtuese”. “Falë bashkëpunimit me institucionet përgjegjëse për zbatimin e strategjisë, deri më tani janë vëne në zbatim 89% e aktiviteteve, nga të cilat 59% janë realizuar plotësisht, duke finalizuar 28 produkte vetëm gjatë vitit të vështirë që lamë pas. Kjo u bë e mundur falë masave dhe iniciativave të qëndrueshme dhe të suksesshme që qeveria dhe institucionet shqiptare kanë ndërmarrë gjatë këtyre 6 viteve implementim të reformës. Sa i përket Shërbimit Civil dhe Menaxhimit të Burimeve Njerëzore, si një ndër komponentët themelore të kësaj reforme, sot kemi një kuadër ligjor të plotë, të qartë e të konsoliduar, i cili ka përmirësuar ndjeshëm menaxhimin e burimeve njerëzore në institucionet pjesë e shërbimit civil, dhe e ka bërë shërbimin civil më tërheqës për profesionistët, duke rritur kështu besimin e qytetarëve te shërbyesit publikë”, tha ajo.

Në këtë kontekst, Ministrja Spiropali theksoi se “gjatë vitit që lamë pas, puna dhe përpjekjet e Departamentit të Administratës Publike, janë drejtuar në sigurimin e një trupe cilësore të nëpunësve nëpërmjet konsolidimit dhe përmirësimit të mëtejshëm të procesit të rekrutimit, duke e përshtatur me situatën emergjente në vend dhe duke synuar ruajtjen e standardeve të vendosura në vite sa i takon transparencës e drejtësisë në procedurat e rekrutimit”. “Një ndër sukseset e vitit 2020 ishte realizimi për herë të parë i procedurave të rekrutimit tërësisht online, nëpërmjet mjeteve të teknologjisë së informacionit, duke bërë të mundur vijimin e këtij procesi të rëndësishëm dhe gjatë periudhës së kufizimeve për shkak të pandemisë. Zhvillimi i rekrutimit tërësisht online, ishte një risi në Ballkanin Perëndimor, duke konfirmuar kështu përsëri Shqipërinë si lider në rajon sa i takon Menaxhimit të Burimeve Njerëzore. Gjatë 2020 u zhvilluan gjithsej 389 procedura rekrutimi online, ku si rezultat i të cilave u rekrutuan 379 nëpunës civilë. Në këtë kuptim, viti 2020, shënoi një rritje të përqindjes së plotësimit të nevojave për rekrutim”, tha ajo.

Konkretisht, Spiropali tha se gjatë vitit 2020, përqindja e realizmit të planit të rekrutimit ishte 139 %, duke plotësuar 1225 pozicione pune. “Mobiliteti në shërbimin civil, si një element i rëndësishëm i promovimit të nëpunësve civilë dhe rrugëtimit të tyre profesional në shërbimin civil, shënon gjithashtu shifra domethënëse ku 25% e pozicioneve janë plotësuar nëpërmjet procedurave të lëvizjes paralele apo ngritjes në detyrë, pra me nëpunës nga brenda sistemit të shërbimit civil. Përmirësimi i transparencës në administrimin e të dhënave dhe menaxhimin e burimeve njerëzore mes nivelit qendror dhe lokal është vlerësuar nga Komisioni Europian duke u evidentuar si një ndër pikat në të cilat Shqipëria ka patur progres, nga raporti i fundit i publikuar në Tetor 2020”, tha ajo.

Spiropali u ndal edhe te përmirësimi i kapaciteteve për zbatimin e legjislacionit të shërbimit civil dhe menaxhimit të burimeve njerëzore përmes shtrirjes së mëtejshme të platformës së integruar të komunikimit administrata.al, një platformë e cila ka ngritur në një tjetër dimension unifikimin e procedurave të menaxhimit të burimeve njerëzore në të gjitha institucionet pjesë të shërbimit civil, në të gjitha nivelet, qendror dhe lokal. Kjo platformë, tha ajo, “ka adresuar nevojën e të paturit një informacion të konsoliduar, cilësor dhe në kohë reale për institutet kryesore të legjislacionit të shërbimit civil”. “Tashmë kemi dhe një sistem indikatorësh të cilët do të integrohen në këtë platformë duke mundësuar kështu një qasje të unifikuar mes DAP dhe KMSHC lidhur me monitorimin e zbatimit të legjislacionit të shërbimit civil në të gjithë administratën publike, qendrore dhe lokale”, tha ministrja. Spiropali informoi edhe lidhur me reformën funksional – strukturore të institucioneve të administratës publike, me fokus të veçantë në ristrukturimin e institucioneve të varësisë së Kryeministrit dhe ministrave të linjës.

Po ashtu ajo tha se “hartimi i draftit të parë të metodologjisë për delegimin e kompetencave në administratën publike, është një zhvillim i rëndësishëm sa i takon përgjegjshmërisë edhe llogaridhënies së administratës publike e veçanërisht niveleve drejtuese”. Në drejtim të rienergjizimit të administratës publike në tërësi e shërbimit civil në veçanti, Ministrja veçoi “iniciativën e ndërmarrë nga qeveria shqiptare para tre viteve për punësimin e ekselentëve në administratën publike, është tashmë një praktikë e konsoliduar”. “Gjatë vitit 2020, u vunë në dispozicion të studentëve të ekselencës 108 pozicione (99 prej të cilave pozicione të shërbimit civil dhe pjesa tjetër me Kod Pune në administratën shtetërore), të shpërndara në 42 institucione dhe 17 qytete. Në përfundim të procesit, 92 studentë të ekselencës ju bashkuan institucioneve tona shtetërore, duke çuar kështu në 694 numrin e studentëve ekselentë që janë pranuar në administratën shtetërore që nga fillimi i zbatimit të kësaj skeme. Gjithashtu, nga 602 studentë të ekselencës të cilëve iu lidh një kontratë 1-vjeçare pune në vitin 2019, rreth 450 prej tyre apo rreth 75%, vendosën gjatë vitit 2020 të aplikojnë për një procedurë rekrutimi në përfundim të eksperiencës së tyre 1 vjeçare. Prej tyre, 374 ose 83% u emëruan në shërbimin civil”, tha ajo.

Një tjetër element, sipas saj është shtrirja e Sistemit Informatik të Menaxhimit të Burimeve Njerëzore HRMIS/SIMBNJ, duke e populluar sistemin me të dhëna dhe duke trajnuar personat përgjegjës në secilin institucion lidhur me përdorimin e tij. Në sistem në fund të vitit 2020 kishte informacion për rreth 823 struktura institucionesh, dhe përmbante dosjet e 60.268 të punësuarve”. Spiropali u ndal te angazhimi për sigurimin e një trupe nëpunësish civilë me performancë të lartë në të gjitha nivelet e administratës nëpërmjet aktiviteteve të ndryshme për t’i trajnuar profesionalisht. Lidhur me ekzekutimin e vendimeve gjyqësore të formës së prerë, si një komponent i veçantë dhe tepër i rëndësishëm në përmbushjen e misionit të shtetit të së drejtës, Spiropali tha se “ky proces ka vazhduar të mbetet në fokusin e veprimtarisë së qeverisë shqiptare edhe gjatë vitit 2020, duke asistuar institucionet e administratës shtetërore në zbatimin me rigorozitet të rregullave dhe modaliteteve për ekzekutimin e vendimeve gjyqësore të formës së prerë nga institucionet, si edhe unifikimin e këtyre procedurave administrative”.

“Si rezultat, gjatë vitit 2020 janë zbatuar gjithsej 33 vendime gjyqësore të formës së prerë, duke e çuar shifrën e zbatimit të të gjitha vendimeve gjyqësore të mbartura që nga fundi i vitit 2013 e në vijim, në 71.6%, krahasimisht me 66.5% në 2019”, tha ajo.