Reshjet e shiut dhe temperaturat e ulëta kanë përfshirë pjesën më të madhe të Shqipërisë. Stuhia që ka përfshirë Europën ka prekur dhe vendin tonë, por sipas meteorologes Lajda Porja nuk ka vend për panik. Moti pritet të përmirësohet gjatë mbrëmjes. Shqipëria do të mbetet në ndikimin periferik të stuhisë “liqeni i ftohtë” që ka prekur Europën deri në orët e vona të mbrëmjes së të dielës. Shira të dobët deri në mesatar do të jenë të pranishëm në pjesën me të madhe të vendit. Era sipas meteorologes Lajda Porja do të vijojë të fryjë me intensitet mesatar duke shkaktuar dallgëzim në det. “Në fakt sikur e kemi parë gjithë stuhia që ka përfshirë Europën qendrore është zhvendosur drejt alpeve, ka prekur veriun e Italisë dhe vendet e rajonit. Ka ndikuar, megjithëse shumë pak, celula të vogla edhe në Shqipëri, mbrëmë ka pasur reshje që kanë nisur në veri, kanë përfshirë edhe një pjesë të zonave qendrore edhe bregdetin e Adriatikut. Nuk kemi pasur shira të konsiderueshëm.
Orët në vijim pritet që të mbeten nën ndikimin e vranësirave dhe reshjeve të shiut sidomos në zonat malore. Kemi një përmirësim në bregdet.
Situata paraqitet; Shqipëria pritet që të mbetet në ndikimin e rrebesheve në zonat lindore, zonat e ulëta dhe bregdeti me reshje më të pakta, përmirësimi i situatës pritet që të vijnë gjatë mbrëmjes, ku bregdeti dhe zona e ulët të ketë vetëm pika shiu dhe zonat malore mbeten me rrebeshe.
Pritet që era të mbetet disa problematike sot paradite deri në orët e vona të mbrëmjes ku do të ketë dobësim të ndjeshëm. Situata është drejt përmirësimit, më problematike janë vendet e rajonit, Serbia, Maqedonia, Kosova dhe Bosnja pritet që të kenë reshje më të konsiderueshme, ndërkohë që në Shqipëri mbetet e lokalizuar në veri dhe verilindje, dhe pjesa tjetër megjithëse do të ketë rrebeshe do të jenë të përkohshme për disa minuta. Nga e hëna situata pritet që të përmirësohet për Shqipërinë dhe reshjet do të lokalizohen vetëm në zonat malore, ndërkohë që pritet një përmirësim i dukshëm pas të martës për vendet e rajonit” tha ajo.
Përmirësimi gradual i motit sipas Lajda Porjas nga “Meteoalb” pritet të nisë mesditën e të hënës. Ndërsa të mërkurën parashikohet rikthimi i temperaturave të larta të ditëve të shkuara. “Aspak nuk është rasti dhe vendi për panik. Kjo stuhi që ka qenë e paparë në vitet e fundit dhe e zhvilluar dhe me origjinë nga ishujt britanikë dhe epiqendra ka qenë Gjermania, që ka përjetuar dëmin më të madh.Kemi pasur një ndikim periferik dhe të dobësuar në Shqipëri. Do të kemi reshje shiu dhe rrebeshe, kryesiosht në zonat malore. Do të kemi një forcim të erës dhe deti do të jetë pak i trazuar.
Kemi një rënie të temperaturave sot dhe nesër. Nga nesër në mesditë do të kemi një përmirësim që do të vijë gradualisht dhe nga mërkura rikthehet moti i kthjellët dhe temperaturat e larta. Nuk bëhet fjalë për fenomenin që ndodhi në Gjermani ta kemi në territorin shqiptar, mos frikësoheni. Është një situatë e përkohshme. Në zonat bregdetare pritet përmirësim që pasdite” tha ajo.