Historia e shoqërisë njerëzore është e mbushur me ngjarje, të cilat për shkak të dinamikës së thellë e të gjithanshme, kanë sjellë për pasojë realitete që e kanë ndryshuar njëherë e përgjithmonë jetën e një njeriu, familje, grupi shoqëror, populli, shteti, kombi, kontinenti apo edhe vetë njerëzimit. Disa prej tyre, janë të lidhura me një hark kohor prej 100 ditësh, brenda të cilave ka ndodhur jo rrallëherë një cikël i jashtëzakonshëm. Në përfundim të tij, jeta për atë komunitet që përfshihet në të, nuk rrjedh më si më parë. Keni dëgjuar për këtë, që nga “100 ditët e Napolonit”, e deri tek “100 ditët që ndryshuan botën” për shkak të koronavirusit. Po mbushen 100 ditë tashmë, nga momenti kur Departamenti Amerikan i Shtetit shpalli “non grata” Sali Berishën dhe familjen e tij, për “akte korrupsioni që minojnë demokracinë”. Brenda këtij harku të shkurtër kohor patëm një turbullim aq të madh politik, saqë në shtator e tutje ajo do të kthjellohet dhe shoqëria shqiptare do shohë qartë, derisa të kuptojë se gjërat nuk do të jenë më kurrë si më parë.
E sigurtë është se fillimisht as PD, as “Opozita e Bashkuar”, as Lulzim Basha, as Ilir Meta, as Monika Kryemadhi, as Dashamir Shehi, as Agron Duka, as Shpëtim idrizi, as Vangjel Dule dhe as Fatmir Mediu nuk do të jenë më si më parë. Nuk do të jenë më ata liderët politikë që ishin deri në zgjedhjet e 25 prillit, qoftë në raport me sistemin politik, qoftë me institucionet kushtetuese të vendit, qoftë me shqiptarët, ashtu edhe me aleatët tanë euro-atlantikë. Në këto 100 ditë doli në dritë të diellit, e vërteta se Sali Berisha është edhe Kryetari i PD edhe lideri i opozitës dhe jo një “pensionist politik” siç na e ka shitur për 8 vjet me radhë propaganda e tij. Ndaj pas kësaj ose do iki nga Grupi Parlamentar, sipas të njëjtit standard të atyre që futen në listën e zezë së SHBA, ose do ta marë me vete edhe PD në “varrin” e përjetshëm politik që e pret në shtator.
Në këto 100 ditë zbuluan publikisht, të vërtetën e pakundërshtueshme se Sali Berisha ka qëndruar prapa të gjitha vendimeve të opozitës pas miratimit të Reformës në Drejtësi, duke nisur nga çadra e “Republikës së Re” në bulevardin e Tiranës, e deri tek djegia e mandateve të deputetëve të opozitës dhe bojkoti i zgjedhjeve lokale të 2019. Ai nuk ia doli dot që ta merte peng Shqipërinë, duke u ndëshkuar me votë më 2021, si asnjëherë më parë nga shqiptarët. Në këto 100 ditë e bënë të qartë për të gjithë se, asnjëherë nuk ka patur nga dhjetori 1990 e deri më sot, asnjë rivalitet real; as për lidershipin e PD, as për atë të spektrit të djathtë të politikës shqiptare dhe as brenda “Opozitës së Bashkuar”. Sepse Sali Berisha është “pronari” i PD, ndaj Lulzim Basha nuk ka qenë e nuk është as Kryetari “de facto” i saj dhe as lideri real i opozitës shqiptare.
Në këto 100 ditë kanë treguar se Sali Berisha është e shkuara dhe se PD nuk ka më asnjë të ardhme, pa u ndarë njëherë e përgjithmonë prej tij. Lulzim Basha nuk është ende e ardhmja. Nëse e dëshiron ende këtë, ai ka edhe pak ditë në dispozicion për ta vrarë babain e tij politik, përndryshe do të ikin të dy bashkë duke marë me vete edhe atë pjesë të partisë që do i ndjekin verbërisht nga pas. Lulzim Basha u pa qartë në këto 100 ditë, se ka 8 vjet që ka bërë thjeshtë rolin e administratorit të deleguar në krye të PD. Kjo lojë tani mori fund, sepse u kuptua nga të gjithë. Ai nuk mund të vijojë si deri më sot, që të bëjë lojën e liderit të mirë, duke ia faturuar të gjitha të këqijat Sali Berishës. Ata janë të dy bashkëfajtorë në këtë histori, ndaj nesër do të jenë edhe bashkëvuajtës nëse ndarja e tyre për të shpëtuar të ardhmen e PD, nuk do të jetë përfundimtare.
Sali Berishën nuk e rikthejnë dot më në lojën aktive politike as alibitë me gjyqe qesharake në Francë, as fajësimi i “armiqve të jashtëm” imagjinarë si George Soros, as postimi i fotove dhe videove nostalgjike të 30 viteve për të cilat edhe u ndëshkua nga SHBA, as nxitja e antiamerikanizmit, as nxitja e urrejtjes kundër Edi Ramës, as rikthimi i talebanëve në pushtet në Afganistan dhe as heshtja vetakuzuese e Lulzim Bashës. Këto 100 ditë e kanë ndryshuar njëherë e përgjithmonë perceptimin e shqiptarëve e ndërkombëtarëve ndaj Sali Berishës. Kjo pritet të shoqërohet edhe me ndryshimin e PD, opozitës dhe politikës shqiptare, sepse ai ka qenë një protagonist abosolut i tyre në tri dekadat e fundit. E sigurtë është vetëm se në shtator, asgjë nuk do jetë më si më parë, sepse sapo ka nisur epoka e re post Sali Berisha për Shqipërinë.