Nga 1 janari deri më tani janë përfshirë në procesin e Fiskalizimit 17,470 biznese, të cilat kanë lëshuar mbi 11 milionë fatura. Nga këto, 9844 janë biznese të mëdha dhe 7460 janë biznese të vogla. Referuar të dhënave nga tatimet, gati gjysma e bizneseve të fiskalizuara janë në Tiranë, ose 8562, ndërsa 2 mijë të fiskalizuara janë në Durrës. Po ashtu, numri më i madh i bizneseve të fiskalizuara i përkasin sektorit të tregtisë dhe shërbimeve.

DPT bën të ditur se qasja e Administratës Tatimore do të jetë këshilluese dhe informuese për t’i ardhur në ndihmë çdo tatimpaguesi. Në 1 janar 2021 nisi faza e parë e zbatimit të kësaj reforme, që konsiston në transaksionet pa para në dorë midis tatimpaguesve dhe enteve publike (B2G); në 1 korrik 2021 nisi faza e dytë për transaksionet pa para në dorë midis tatimpaguesve (B2B); më 1 shtator do të nisë faza e tretë për transaksionet me para në dorë tatimpagues-konsumator (B2C). Reforma e Fiskalizimit ka një ecuri pozitive me shifrat që janë rritur ndjeshëm muaj pas muaji.