Gjatë periudhës 2016–2020, janë miratuar 19 investime strategjike me një investim total prej 1.2 miliardë euro. Në Strategjinë për Zhvillimin e Biznesit dhe Investimeve, 2021–2027, dhe të planit të saj të veprimit, e cila u publikua sot në Fletoren Zyrtare thuhet se projektet fokusohen kryesisht në turizëm, bujqësi, industri dhe energji.

“Gjithashtu, investitorët në fushën e energjisë dhe minierave, transportit, infrastrukturës, turizmit, bujqësisë, manifakturës dhe transferimit të proceseve të biznesit (BPO) mund të aplikojnë për lehtësi fiskale, kryesisht në formën e përjashtimit nga ulje të taksave dhe ulje të çmimit të qirasë së tokës”, thuhet në dokument. Në fund të vitit 2020, sipas SZHBI, u zhvilluan tetë projekte me interes në fushën e investimeve në Shqipëri, kryesisht nga Gjermania dhe Italia si dhe nga Holanda, Kina dhe Japonia. Vlera totale e këtyre projekteve të investimeve arrin në rreth 94 milionë euro dhe parashikohet të hapen 4,090 vende të reja pune. Fluksi i investimeve të huaja direkte është rritur ndjeshëm në dhjetë vitet e fundit, i nxitur, ndër të tjera, nga reformat e klimës së investimeve. Në vitin 2019, fluksi i IHD-ve arriti në më shumë se 1 miliard euro, duke u rritur me 14.6% nga viti 2016. FDI-të neto zënë 7.6% të PBB-së – një nga vlerat më të larta në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Si pasojë e pandemisë COVID-19, fluksi i investimeve të huaja direkte gjatë tre tremujorëve të parë të vitit 2020 u ul me 13.7% krahasuar me të njëjtën periudhë në vitin 2019. Vendet e BE-së mbeten burimi kryesor i investimeve të huaja direkte në Shqipëri dhe në fund të vitit 2020 zënë 54.2% të stokut total të IHD-ve. Vendet kryesore të burimit të investimeve përfshijnë Zvicrën (18.9% të stokut), Holandën (16.2%), Kanadanë (12.8%), Italinë (9.6%) dhe Turqinë (7.2%). Sipas të dhënave të Qendrës Kombëtare të Biznesit, 12,944 kompani të huaja janë aktive në territorin e Shqipërisë.

Rreth 80% e tyre janë 100% me kapital të huaj (10,231), ndërsa pjesa tjetër janë ndërmarrje të përbashkëta (2,713). Pjesa më e madhe e këtyre kompanive (69%) operojnë në qarkun e Tiranës. Pjesa më e madhe e kompanive të huaja në Shqipëri janë me origjinë italiane (40%), të ndjekura nga ato me origjinë kosovare (8.8%), greke (6.4%) dhe turke (5.5%). Kompanitë e huaja/ndërmarrjet e përbashkëta operojnë në fusha të ndryshme të aktivitetit ekonomik. Në fund të vitit 2018, energjia dhe miniera përbënin 40% të stokut total të IHD-ve, të ndjekura nga sektori i informacionit dhe komunikimit (16%) dhe shërbimet financiare (14%).

Më pak se 10% e të gjitha investimet e huaja direkte në vend janë të fushën e manifakturës. Por lidhjet ndërmjet firmave të huaja dhe atyre lokale janë ende relativisht të dobëta. Sipas Indeksit 2019 të OECD-së për Kufizimet Rregullatore të IHD-ve, regjimi i investimeve të huaja direkte në Shqipëri është më pak kufizues se sa mesatarja e OECD-së apo ekonomisë së BE-së. Me qëllim tërheqjen e investimeve të huaja direkte, në vitin 2015 qeveria miratoi ligjin për investimet strategjike, i cili përcakton stimujt për investime dhe ofron procedura administrative të shpejta për investitorët strategjikë përmes qendrës së shërbimit me një ndalesë që administrohet nga AIDA.