Adriatik Kelmendi/
Kam përshtypjen se edhe mos të dilte Goran Bregoviqi shqiptarzeza do ta shpikte një situatë vetëm për ta sharrë njëri-tjetrin. Thuajse pak na shajnë e na nënçmojnë të tjerët. Ta mbyllim më këtë episod të shëmtuar.
O legjendarë shkurtpamës, po a e dini që për shumicën e Evropës shqiptarët si në Kosovë e si në Shqipëri shihen si dele të zeza?!
Kjo do të duhej të na afronte dhe jo të zmadhojmë situata për t’u ndarë. Ku jemi nisur kështu?
Kujt i konvenon kjo?
Sigurt nuk i konvenon atyre që flasin shqip, por shumë të tjerëve po.
Kosova dhe Shqipëria, shqiptarët në përgjithësi duhet ta komplementojnë njëri-tjetrin, jo ta pengojnë, se boll na pengojnë të tjerët.
Derisa Kosova ka arritje të shkëlqyeshme të individëve, Shqipëria ka ecur larg në aspekt shtetëror.
Kosova krenohet sot me të artat olimpike të Majlindës, Norës dhe Distrias, me vendet e para muzikore dhe shpërblimet e Dua Lipës, Rita Orës, Era Istrefit, Dardan Regard Aliut, me futbollistë si Gjerdani e Miloti me shumë shokë, me arritjet në fushën e filmit e shumëçka tjetër. Edhe Shqipëria me të drejtë gëzohet për këto suksese të shqiptarëve të Kosovës.
Mirëpo, Kosova ka kohë që çalon në rrafsh ndërkombëtar. Është i vetmi vend evropian pa liberalizim vizash, i vetmi pa perspektivë të qartë integruese evropiane, njohjet janë ndalur fare dhe në ndërkohë kurrë më të përkeqësuara s’i kemi pasur raportet as me fqinjtë, e as me BE dhe SHBA. Politika kosovare është në regres të pakrye. Të dobët e të izoluar sjellemi si mbret të botës! Kjo është diagnozë psikike!
Shqipëria, në anën tjetër, ka rreth 10 vjet që lëvizë lirshëm në Evropë, ka mbi 10 vjet që është anëtare e NATO-s, ngadalë por sigurt po kthehet në top destinacion turistik, Tirana është transformuar në një metropol për lakmi. Është kënaqësi kur edhe shqiptarët e Kosovës me të drejtë krenohen me këto arritje të Shqipërisë.
A kemi të meta? Si në Kosovë dhe në Shqipëri? Kemi me tonelata të meta. Por ato boll po përdoren nga armiqtë e shqiptarëve për të na mbajtur larg. A duhet edhe ne t’ua ndihmojmë?! Se atë shpesh po e bëjmë, me ose pa vetëdije! Miopëri!
Tingëllon si klishe, por kush s’e ka kuptuar se sa më e fortë Shqipëria aq më e fortë Kosova, si dhe anasjelltas, nuk merr vesh gjë, ose ka agjendë të rrezikshme.
Dashni!
P.S. 1: Ka plot të meta edhe Edi Rama, është tepër arrogant, edhe menaxhimin rreth Open Balkans nuk e ka bërë kurrëqysh, ndoshta do t’i kthehet bumerang, mirëpo edhe është fakt që shumë politikanë të rajonit dhe mbase edhe më gjerë t’i mban në xhepin e vogël të këmishës me lara!
P.S. 2: Politikanët shkojnë e vijnë, populli shqiptarë është i përjetshëm, në Kosovë, në Shqipëri dhe kudo që është.