Nga Jakin Marena
Ashtu siç e kemi paralajmëruar në disa artikuj të mëparshëm, PD po shkon drejt falimentimit politik dhe zhdukjes nga skena si “markë” politike. Fillimi i fundit të PD tashmë ka nisur dhe rruga pa kthim drejt përfundimit të misionit politik të saj tashmë është më tepër se kurrë një fakt i kryer. E pafuqishme për të reaguar si një opozitë normale, e paaftë për të ngjallur besimin tek qytetarët se një ditë Partia Demokratike do të vijë në pushtet, partia e parë opozitare në Shqipëri mund të cilësohet si një cikël i mbyllur, duke ndjekur rrugën e simotrave të saj në Europën Juglindore, të cilat tashmë kanë pushuar së ekzistuari dhe i takojnë vetëm historisë. Lideri historik i kësaj partie, njëherësh dhe kryetari real i saj, Sali Berisha me sa duket po e realizon profecinë e tij teksa betohej se nuk largohet nga politika, kur deklaroi se “edhe sikur një të mbetet në PD, ai do të jetë i dyti”.
Nën udhëheqjen zyrtare të Lulzim Bashës dhe në prapaskenë të Sali Berishës, tashmë PD është kthyer në hije të vetëvetes dhe rrezikon që ta lërë vendin zyrtarisht pa opozitë, për shkak se shtatori ndan dhe rrugët e saj: Ose orientimin kah sjellja demokratike e një partie europiane ose kthimi i saj në një celulë terroriste anti-amerikane, ku nuk zbatohet asnjë rregull por vetëm urdhëri i liderit për emërimet, zgjedhjet, opozitarizmin dhe përzgjedhjen e aleatëve. Dorëheqja e drejtuesit politik të qarkut të Lezhës dhe deputet i zgjedhur në këtë qark Mark Markut, njeriut që shënoi fitoren e vetme të qenësishme për PD në zgjedhjet e 25 prillit, është dhe shembulli më i qartë se kjo parti zyrtarisht është në faliment.
Teksti shoqërues i largimit të Markut nga strukturat drejtuese të PD dhe refuzimi i marrjes së mandatit të deputetit prej tij, është një “skaner” i plotë i gjithë gjendjes në të cilën ndodhet kjo parti, e përmbledhur në një fakt të vetëm, është një parti e Berishës dhe Bashës në shërbim të interesave personale të tyre. Nuk kemi çfarë t’ju shtojmë asgjë shpjegimeve të Mark Markut, intelektualit që në të njejtën gjatësi vale iu kundërvu kundërshtarit politik deri në momentin kur përfunduan zgjedhjet dhe Lulzim Basha përcaktoi piketat e sjelljes politike në 4 vitet e ardhshme në opozitë, një “film” i përsëritur dhe më parë dhe që shënon dhe më tej bjerrjen e PD. Pas kësaj s’la kusur pa thënë për Sali Berishën dhe Lulzim Bashën, si dhe kontributin e tyre për shkatërrimin e PD!
I zhveshur nga të gjitha interesat personale, Mark Marku, që ishte rikthyer për t’i dhënë një “dorë” PD-së në momentin e saj më të keq historik, nuk duroi më përballë “paketës” humbëse strategjike të Berishës dhe Bashës që PD e përdorin jo për të ardhur në pushtet, janë vjelur nga pushteti dhe paratë, por për të mbrojtur interesat e tyre personale, ekonomike dhe politike, në shërbim të familjeve të tyre biologjike dhe politike. “Britma” e Mark Markut më tepër se revoltë është një apel për të gjithë demokratët, që të lënë mënjanë postimet e tyre rebeluese kundër Lulzim Bashës e pse jo Sali Berishës në rrjetet sociale dhe të mendojnë për ribërjen e PD nga e para.
Pra mbylljen e një kapitulli me ulje ngritje prej 30 vitesh të PD, tashmë që i madh e i vogël në PD dhe në Shqipëri e di se Lulzim Basha dhe “mentori” i tij politik Sali Berisha nuk kanë fuqi të mundin Edi Ramën dhe të sjellin këtë parti në pushtet. Ikja e Mark Markut pikërisht atëherë kur ai kishte arritur tërë objektivat e një politikani që kishte marrë përsipër diçka në politikë, fitoren në qarkun që drejtonte dhe mandatin e deputetit për vete, tregon më së miri gjendjen e pashpresë ku ndodhet PD, e cila është pozicionuar dukshëm në vendin e dytë pa mundur kurrë të fitojë kurrë vendin e “titullarit” në skenën politike qeverisëse në Shqipëri.
Dhe një parti politike themelohet dhe ekziston për të qënë shpresa e qytetarëve për të ardhmen e një qeverisjeje më të mirë, pra për të ardhur në pushtet dhe për të implementuar strategjinë ndryshe nga paraardhësit qeverisës. Por PD është “fikur”, s’ka asnjë shans pushteti. Largimi i Mark Markut lëviz në të njejtat piketa me parlajmërimin tonë të paradisa kohëve se PD ose duhet të shkrihet dhe mbi bazën e saj të ngrihet një parti e re politike, me një mision të qartë për të ardhmen e saj dhe të vendit, ose deputetët dhe njerëzit me integritet në këtë parti të largohen një nga një për të formatuar një formacion të ri politik, me bindje të djathta dhe që të ketë grupin e vet parlamentar.
Mark Markut i rrinte “ngushtë” mandati i deputetit dhe anëtarësia në Këshillin Kombëtar të PD, në një ambient partiak ku Berisha dhe Basha po emërojnë pa zgjedhje në strukturat dhe forumet më të larta të partisë njerëzit e tyre, të cilën ekzistencën në këto poste e quajnë punë e jo mision. “Sakrifica” e Markut me sa duket ka qënë për të treguar se ai e tejkalon ndershmërinë e një politikani të ndershëm sipas “kutit” shqiptar, por dhe një paralajmërim se tashmë i ka duart e lira për të punuar fort që PD të shkojë drejt rithemelimit, pa Berishën dhe Bashën.
Madje ka shërbyer dhe si “katalizator” për të gjithë ata që mendojnë si ai në PD, që në shtator të ndahen përfundimisht nga skenari i funksionimit të një partie në faliment të përhershëm për të rithemeluar këtë parti ose për të rigrupuar të gjithë ata që mendojnë si ai në një foremacion tjetër të djathtë politik, me shtrirje dhe në Kuvend, duke “përlarë” gjysmën e grupit parlamentar të PD. Lulzim Basha jo vetëm që nuk ka fuqi të largojë Berishën nga PD sikurse ia kanë kërkuar partnerët tanë amerikanë dhe të BE, por as dëshirën për ta bërë një gjë të tillë, ndaj ka bërë pushime më shumë se kurrë këtë verë humbjeje, menjëherë pas rikonfirmimin si i emëruar në krye të PD, ndaj i mban me mashtrime dhe SHBE-BE-në por dhe demokratët.
E vërteta e kulluar është se me Sali Berishën ‘violinë’ e parë në PD që bën thirrje për revolucion njëherë në dy ditë, që u kujton amerikanëve humbjen në Afganistan, PD e ka prerë përfundimisht “biletën” e falimentimit pa kthim politik dhe kthimin e saj në një repart paramilitar që operon me komandë sa herë që Sali Berisha dhe Lulzim Basha janë në hall.
Dhe vërtetë kanë hall të madh. Berisha jo vetëm që është shpallur person “non grata” nga SHBA, por ka paralajmëruar se do të tërheqë me vete në “greminë” dhe Lulzim Bashën dhe tërë PD-në.
Nuk ia ka përmendur pa qëllim “bisedat” e tij “konfidenciale” në zyrë me ish ambasadorin amerikan Donald Lu për dosjen amerikane të lobimit në SHBA me paratë e njerëzve të nëndheshëm të krimit rus të lidhur me Kremlinin.
Duke e mbajtur nën presion Bashën përmes goditjeve në mediat e djalit të tij Shkelzen, ithtarëve të lëvizjes radikale në PD, për lobimin rus, pasurimin marramendës në një vit katër vila dhe makina luksoze, praktikisht Sali Berisha ka krijuar një binom të pandashëm me liderin zyrtar të PD, duke ia mbajtur “litarin shkurt” me të cilin e ka lidhur në pragun e derës së tij, për ta vënë përballë ndërkombëtarëve dhe vetë qytetarëve shqiptarë.
Dhe mbledhja e këshillit Kombëtar të ditës së hënë një gjë të tillë paralajmëron: Futjen në strukturat drejtuese të njerëzve të tyre, të cilët nuk lëvizin pa urdhër, dhe bëjnë të pabërën vetëm me një urdhër.
Kush mendonte se Gazment Bardhi mund të udhërojë strukturat paramilitare para zgjedhjeve për të ushtruar terror në Elbasan, derisa situata doli jashtë kontrollit dhe u vra një mjek, sepse krahu i armatosur i PD “dyshonte” se po blinte vota. Ja që ndodhi, dhe vetëm me një urdhër nga “lart”!
Ndaj ka ardhur koha tashmë që vendi të ketë opozitën e saj reale, për të qënë përballë mazhorancës në pushtet, e cila nis në mesin e shtatorit mandatin e saj të tretë qeverisës, për të hedhur piketat për fitoren e mandatit të katërt.
Me Berishën e Lulzim Bashën s’mund të ringrihet opozita shqiptare, rezultatet e njëpasnjëshme humbëse dhe gjithnjë në rënie e tregojnë qartë këtë. Duhet që në skenën politike të dalë një forcë e re e djathtë politike, nga trungu i PD, për të marrë në dorë fatet e opozitës.
Dhe kjo bëhet me rithemelim ose me shkrirje të PD dhe krijimin e një partie të re që të ketë një “markë” tjetër politike, ndryshe nga “marka” PD që e ka mbyllur misionin e saj.
Një partie të re politike që të ketë aleate SHBA-në dhe BE dhe jo Ilir Metën që është në radhë për t’u shpallur “non grata” nga SHBA dhe për të “parakaluar” para drejtësisë shqiptare e dhënë llogari për akuzat ndaj tij, të formuluara më herët nga vetë Sali Berisha, aleati aktual i tij.
Ndryshe, sistemi politik në Shqipëri pëson një deformim të fortë: Dominimin e PS në të gjitha përballjet elektorale dhe vijimin e saj në pushtetin qëndror dhe vendor, dhe një PD që e ka të sigurtë gjithnjë vendin e dytë, me një diferencë të pakapërcyeshme nga vendi i parë. Praktikisht pa asnjë shans për të ardhur ndonjëherë në pushtet. I dhimbshme, por e vërtetë.
Demokratët janë përballë një zgjedhjeje të vështirë këtë radhë: Të vijojnë të qëndrojnë me kujtimet e bukura të fitores së parë reale më 22 mars 1992 kur erdhën në pushtet, apo fitoren përmes makinacioneve dhe “dhuratë” të Fatos Nanos në 2005, apo të kthehen me këmbë në tokë për të parë të vërtetën në sy dhe për të ndryshuar totalisht misionin, ardhjen në pushtet. Pasi Edi Rama, ndryshe nga Fatos Nano nuk të fal asgjë, por dhe nuk pranon asnjë dhuratë nga askush!
Eshtë një zgjedhje e vështirë por e domosdoshme.
Ndryshe do qëndrojnë rrugëve jashtë pushtetit për mandate të tjera qeverisjeje, duke humbur të gjitha përballjet politike. Derisa Berisha të ndahet fizikisht nga kjo jetë dhe Luzlim Basha të jetë mërzitur nga beneficet e pushtetit si kryetar opozite.