Mjeku i njohur Skënder Brataj u ka bërë thirrje qytetarëve që të vaksinohen. Në një status në rrjetet sociale ai shprehet se bluzat e bardha duan bashkëpunim pasi vetëm nuk ia dalin dot ndërsa shton se nëse duam që të shpëtojmë duhet të vaksinohemi. Brataj thekson se askush nuk do që ta pranojë realitetin, përveç atyre që kanë humbur të afërmit, përveç atyre që kaluan sëmundjen, përveç atyre që u shtruan në spitale! “Askush nuk do që të pranoj realitetin, askush nuk është dakort me atë që ne shkruajmë dhe informojmë! Askush përveç atyre që kanë humbur të afërmit, përveç atyre që kaluan sëmundjen, përveç atyre që u shtruan në spitale! Përveç atyre që janë të sëmurë në këtë moment, përveç atyre që vuajnë akoma pasojat e sëmundjes. Përveç atyre që besojnë te shkenca, te mjekësia, te profesionistët! Pra pjesa më e madhe e shoqërisë, e qytetarëve! Por kush nuk e di?

Po i marrë me rradhë…A e dinë realitetin NOVAX, a e dinë ata se shumë prej tyre humbën jetën? A e dinë ata që falë vaksinave në shekullin e 20 u zhdukën qindra sëmundje vdekjeprurëse dhe shpëtuan miliona jetë njerëzore? A e dinë konspiracionistët që shumë prej tyre humbën jetën? A e dinë se asnjë teori e tyre nuk është vërtetuar? A e dinë shumë njerëz që ne mjekët nuk prodhojmë vaksina, nuk shesim vaksina? A e dinë që ne jemi vaksinuar të parët për t’u mbrojtur vet nga virusi dhe për t’iu mbrojtur juve? A e dinë kjo kategori njerëzish se jemi të lodhur, të sfilitur, të demoralizuar, të pa fuqishëm të luftojmë vetëm? A e dinë sa ankth kemi për familjet tona, fëmijët tanë, njerëzit tanë, për shëndetin e qytetarëve? Kjo sëmundje nuk zgjedh, kjo sëmundje nuk e ka me individin, kjo sëmundje e ka me të gjithë botën! Individi dëmton shoqërinë me veprimet e tij të pa matura! Ndodh njëherë në 100 vjet që sëmundje të tilla të shfaqen para njerëzimit! A e di ti politikan i çdo ngjyre se ke përgjegjësi për atë që thua? A e di ti, se shëndeti i mbështetësve të tu varet nga mjekësia dhe jo nga politika? A e di ti politikan në pushtet që vendos, se shëndeti varet nga mjekësia, nga mjekët dhe infermierët? A e di ti biznesmen apo tregtar se shëndeti nuk blihet, nuk të jep kohë të shkosh jashtë shtetit? A e di ti koleg që duhet të informosh dhe të shpjegosh pasojat e sëmundjes çdo personi apo pacienti? A e dini ju koleg të universiteteve që duhet të informoni pa pushim, të mos lini këtë boshllëk këtyre jo profesionistëve të mjeksisë? A e dini ju shoqata mjekësore që duhet të jeni në linjën e parë për të informuar qytetarët në vazhdimësi? A e di ti Novax, konspiracionist sa dëm i bën shëndetit të njerëzve me interpretimet e tua fantastiko-shkencore?!

Po ju media, televizione, netëorke, a e dini sa dëm bëni me lajme të rreme, interpretime personale, apo të ftuar jo profesionist që merni në studiot tuaja? A e dini ju që një person që nuk është mjek nuk flet dot për mjeksinë? A e dini ju që konspiracionisti nuk është mjek, nuk i njeh viruset, bakteret, myket, protozoarët, parazitët e të tjera si këto? A e dini ju moderatorë që nuk ka mjek popullor, por mjek që ka studiuar mjekësi? A e dini ju moderator që nuk ka kurse në mjekësi pa mbaruar fakultetin e mjekësisë? A e dini ju mjek popullor se pa diplomë bëni ushtrim abuziv të profesionit? A e dini ju që nuk jeni mjek? A e dini ju që duhet të mos mereni me pacientë se po u merni jëetën? A e dini sa dëm ju bëni qytetarëve me praktika shabllon të shitura për shkencë? A e dini ju analist që djallëzinë e shikoni gjithmonë te të tjerët dhe asnjëherë në bagazhin tuaj, te interpretimi juaj, te përfaqësimi juaj dhe ngjyra që zgjidhni ose dëshironi të mbroni në këtë moment?

Kush është më e rëndësishme, liket tuaja apo shëndeti juaj dhe i qytetarëve? A e dini se ndoshta një ditë do të analizohet veprimtaria e çdo njërit prej nesh nga organet përkatëse? Sa do të dëshiroja që ky verifikim të fillonte menjëherë pa lejuar më të dëmtohet shëndeti i njerëzve? Ju institucione dhe organe kompetente, ju lutem na ndihmoni! A e dini se ne mjekët, infermierët, personeli mbështetës jemi të lodhur, të frikësuar, të ofenduar, të përgojuar, të gjykuar nga të gjithë ju? Ne para të gjithëve juve, jemi të detyruar t’ju shërbejmë, sepse ju paguani taksat! Jemi të detyruar të mos përgjigjemi sepse e kemi për detyrë! Jemi të detyruar t’ju gjejmë një zgjidhje se kemi bërë betimin e hipokratit! Jemi të detyruar sepse ju na kallzoni, na çoni në prokurori, në gjykatë, te emisionet investigative! Jemi te detyruar se ju na filmoni kur ne bëjmë vetëm detyrën! Po ju çfarë duhet të bëni?

Ju mos flisni si mjek, mos bëni interpretimet tona! Ju këshillohuni me mjekun tuaj, ju telefonini urgjencën kur keni nevojë! Ju kërkoni tamponin ose testin e shpejtë! Ju izolohuni nëse keni shenja dhe simptoma! Ju vendosni maskën në ambientet e mbyllura, ruani distancën. Ju bashkohuni me ne, na dëgjoni, na lini të bëjmë detyrën dhe të mbijetojmë si ju. Ne duam vetëm bashkëpunim! NE VETËM NUK JA DALIM DOT! VAKSINOHUNI NËSE DONI TË SHPËTOJMË, NËSE DONI TË NA NDIHMONI! Dr. Skënder Brataj”, shkruan Brataj.