Vaksina antiCOVID-19 e laboratorëve Pfizer/BioNTech “ende” nuk ka nevojë të përshtatet për variantet e reja të koronavirusit në qarkullim, siguroi sot gjatë një konference shtypi kreu i BioNTech, duke mbrojtur në vend të kësaj një “dozë të tretë”.
“Është e mundur që në gjashtë deri në 12 muajt e ardhshëm të shfaqet një variant që kërkon përshtatjen e vaksinës, por nuk jemi ende në atë fazë”, tha Ugur Sahin në Berlin. “Marrja e një vendimi tani mund të rezultojë e gabuar, nëse në tre apo gjashtë muaj mbizotëron një variant tjetër”, shtoi ai.
Sipas tij, një vendim i tillë duhet të merret vetëm nëse “vaksina ekzistuese nuk është efikase ose jooptimale”. Si rezultat, sipas tij “qasja më e mirë për t’u marrë në këtë situatë është të vazhdohet me një dozë përforcuese”, në mënyrë që të rritet imuniteti i dhënë nga vaksina. Pfizer dhe BioNTech kanë përmendur gjithashtu në fillim të korrikut “rezultate inkurajuese” të provave për një dozë të tretë dhe planifikojnë të kërkojnë autorizim për të në SHBA dhe Evropë.