Vijon vaksinimi masiv nëpërmjet njësive të lëvizshme në komunitet, krahas në pikat e përqëndruara të vaksinimit dhe në qendrat shëndetësore. Prej fillimit të vaksinimit janë kryer në total 1,198,933 doza të vaksinës ndaj COVID19. Prej tyre 528,718 qytetarë i kanë marrë të dyja dozat e vaksinës antiCOVID. Në 24 orët e fundit janë kryer 8,086 vaksinime. Ditën e sotme ka filluar vaksinimi i hapur + 18 vjeç. Muaji gusht do të jetë muaj i hapur i vaksinimit për të gjitha grupmoshat + 18 vjeç, për të kryer vaksinën kudo në qendrat shëndetësore apo në pikat e vaksinimit të përqëndruar.
Për të pamundurit njësitë e lëvizshme të vaksinimit do të jenë kudo në territor për t’ju dhënë mundësinë e kryerjes së vaksinimit ndaj COVID19 pa asnjë kufizim. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu apelon që “të gjithë ata që ende nuk e kanë kryer vaksinën, të paraqiten në qendrat shëndetësore ose në qendrën më të afërt të vaksinimit, për t’u vaksinuar sa më parë, duke mbrojtur veten dhe njerëzit e dashur”.